Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar ashpër ndaj grafiteve antishqiptare që janë shfaqur në Bujanoc, duke i cilësuar ato si nxitje të dhunës ndaj komunitetit shqiptar. Përmes një letre të gjatë drejtuar ambasadës së SHBA-së, Misionit të OSBE-së dhe ambasadës Britanike, Kamberi ka shprehur shqetësimin e tij për rritjen e ndjenjës anti-shqiptare dhe gjuhës së urrejtjes në Luginën e Preshevës.
Ai theksoi se multietniciteti duhet të përfaqësojë barazi dhe drejtësi për të gjitha komunitetet dhe kritikoi ashpër pasivizimin e adresave të shqiptarëve, duke e cilësuar këtë praktikë si diskriminuese dhe kërcënuese për ekuilibrin delikat në rajon. Kamberi i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të dënuar gjuhën e urrejtjes dhe për të mbrojtur të drejtat e komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës.
Letra e dërguar në Ambasadën e SHBA, Misionin e OSBE, Ambasadën Britanike:
Ju drejtohem në cilësinë e deputetit në Parlamentin e Serbisë, i shqetësuar për rritjen alarmante të ksenofobisë dhe gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës, veçanërisht në Bujanoc. Kjo armiqësi në rritje, e dëshmuar nga grafitet që nxisin hapur dhunën me mesazhe si “Vritni Shqiptarët,” po kontribuon në një atmosferë gjithnjë e më toksike në rajon.
Këto zhvillime alarmante nuk janë të kufizuara në incidente të izoluara, por po përsëriten nga zyrtarë dhe institucione qeveritare të cilët duhet t’i mbrojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve. Veçanërisht shqetësues është roli i Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
I themeluar për të promovuar dialogun, integrimin dhe barazinë, ky institucion tanimëpo lëviz në një drejtim që bie ndesh me misionin e vet themelues. Deklaratat e fundit nga Drejtori i Shërbimit të Trupit Koordinues, Nenad Mitrović, i kanë thelluar më tej këto shqetësime. Retorika e tij fyese e përçarëse, e cila jo vetëm që diskriminon Bujanocin në krahasim me Preshevën, por gjithashtu reflekton një qëndrim përjashtues më të gjerë, është jashtëzakonisht shqetësuese.
Gjithashtu shqetësuese është intensifikimi i pasivizimit të adresave, një proces që po përdoret gjithnjë e më shumë si një mjet diskriminimi kundër komunitetit shqiptar. Kjo praktikë ka për qëllim të çregjistrojë sistematikisht anëtarët e popullsisë shqiptare duke anuluar statusin e tyre zyrtar të rezidencës e që po ndikon në shpoppullimin e saj nga shqiptarët. Veprime të tilla jo vetëm që shkelin të drejtat themelore të njeriut, por gjithashtu minojnë parimet e barazisë dhe drejtësisë që duhet të jenë themeli i një shoqërie multietnike.
Rritja e ndjenjës anti-shqiptare dhe diskursi përjashtues i promovuar nga disa zyrtarë qeveritarë kërcënojnë ekuilibrin delikat të multietnicitetit në Luginën e Preshevës. Multietniciteti duhet të përfaqësojë barazi, drejtësi dhe respekt për të gjitha komunitetet, dhe jo margjinalizimin dhe shtypjen e popullsisë shqiptare e privilegje për tjetrën.
Në dritën e këtyre zhvillimeve, i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë veprime të menjëhershme: Të dënojë gjuhën e urrejtjes dhe ksenofobisë: Dënoni publikisht gjuhën e urrejtjes dhe retorikën ksenofobike që po përhapet në Luginën e Preshevës.
Të kërkoni Përgjegjësi: ndikoni në qeverinë serbe që të mbajë përgjegjës ata që nxisin urrejtje dhe dhunë kundër komunitetit shqiptar. Promovimi i Dialogut dhe Integrimit: Avokoni për rikthimin e Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në misionin e tij origjinal për të nxitur dialogun dhe për të promovuar integrimin e vërtetë të komunitetit shqiptar. Kjo përfshin rikthimin në zbatimin e “Planit me Shtatë Pikësh” siç është parashikuar në “Planin për Integrimin e pjesëtarëve të Pakicës Kombëtare Shqiptare në Sektorin Publik dhe Organet Shtetërore në Nivel Lokal, për periudhën 2023 – 2026.”
Të monitoroni dhe Raportoni: Ngritne monitorimin dhe raportimin ndërkombëtar mbi situatën e të drejtave të njeriut në Luginën e Preshevës, me vëmendje të veçantë ndaj intensifikimit të pasivizimit të adresave.
Situata aktuale në Luginën e Preshevës paraqet një test të rëndësishëm për angazhimin e Serbisë në ruajtjen e parimeve të multietnicitetit, demokracisë, brazisë dhe të drejtave të njeriut e të drejtave të pakicave. Ftoj komunitetin ndërkombëtar që të reagojë me urgjencë për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin, barazinë e demokracinë për komunitetit shqiptar në Luginë të Preshevës.