Teksa Himara po mban sot zgjedhjet për kryetarin e ri të bashkisë, mediat raportojnë se deri më tani numri i votuesve është 2% më shumë se në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023. Kështu, qytetarët po bëjnë zgjedhjen e tyre mes Vangjel Tavos, kandidat i Partisë Socialiste dhe Petro Gjikuria, kandidat i opozitës.
Pjesëmarrja duket të jetë natyrshëm më e lartë krahasuar me zgjedhjet e kaluara të muajit maj, për arsyen e thjeshtë të kohës dhe momentit kur mbahen zgjedhjet e kësaj radhe. Muaji gusht është momenti kur qytetarët e Himarës kthehen në vendlindje, për të qendruar gjatë me familjarët e tyre, apo për të shijuar e shfrytëzuar sezonin veror.
Muaji gusht përkon edhe me kulmin e sezonit turistik, momenti ideal për himariotët që kanë ngritur e zhvillojnë bizneset e tyre verore. Në këto rrethana, prezenca e himarjotëve në vendlindje ka ndikuar edhe në rritjen e pjesëmarrjes në votimet e së dielës.