Policia italiane ka arrestuar një shqiptar 23-vjeçar të shumëkërkuar në të gjithë Europën dhe ndaj të cilit kishte një urdhër-ndalimi për dënimin me 15 vite burgim.
Aksioni i ndalimit u bë në zonën e Komos dy ditë më parë (10 Gusht), teksa sqarohet se ndaj të arrestuarit kishte akuza për çështje narkotrafiku.
Media italiane iu referua edhe njoftimit zyrtar të Kuesturës dhe Policisë së Shtetit të vendit fqinj, por emri i të riut nuk u publikua. “I ndaluari duhet të vuajë 15 vite burgim”, njoftoi policia vendase.
Autoritetet u alarmuan falë një raporti të marrë nëpërmjet sistemit të akomodimit, i cili tregonte praninë e të kërkuarit në një hotel në qytet si turist.
Por pas kontrollit të parë, oficerët nuk e gjetën aty të kërkuarin. Eefektivët u përfshinë me disa mjete në operacion dhe me foton e autorit të dyshuar, duke bërë kërkime në rrugët e qytetit.
“Pas disa orësh, 23-vjeçari është zbuluar në Viale Geno, teksa po bënte një xhiro turistike”, raportoi media e vendit fqinj.
Shqiptari u arrestua menjëherë dhe pas formaliteteve u transferua në burgun e Komos, ku do të qëndrojë në dispozicion të organeve të drejtësisë, për vuajtjen e dënimit.