Aktoret shqiptare publikon historinë e panjohur të aktorit të madh të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Prokop Mima, të cilën në periudhën e Monarkisë së Zogut familja e kishte dërguar që të studjonte për Farmaci, në Padova të Italisë, por pas tre vitesh studimi, ai u detyrua që të kthehej në atdhe, pa marrë dot diplomën, pasi ishte dhënë pas filmave, muzikës, dëfrimeve dhe kitarës, nën shoqërinë e miqve dhe familjes së aktores dhe këngëtares shqiptaro-amerikane me famë botërore, Eleni Qirici, me origjinë nga Korça. Dëshmitë e rralla të bashkëshortes së tij, Eleni Karalliu Mima, vëllait, Miltos, kunatit, Robert Zhvarc, poetit Koçi Petriti, si dhe regjisorit e aktorit të madh të kinematografisë shqiptare, të ndierit Rikard Ljarja, etj., për “Princin e fjalës artistike”, duke filluar nga periudha e Luftës në Radio-Tirana ku ai realizonte emisionin “Ora gazmore” me të madhin Pjetër Gjergji, arrestimi nga komunistët në nëntorin e ‘44-ës së bashku me shokun e tij të ngushtë, Sandër Prosi, të akuzuar si pjestarë të Rinisë së Ballit Kombëtar, lirimi nga burgu dhe rikthimi në Radio-Tirana ku me dy partnerët e tij, Besim Levonja dhe Behije Çela, vazhduan “Ora gazmore”, karriera e gjatë në teatër dhe kinematografi, incidenti në Kosovë që do t’i kushtonte jo pak, pasi propozoi të ngrinte dolli për Nexhmije Pagarushën, dhe nxjerrja në pension në vitin 1976, në kulmin e karrierës së tij, nga ku u vra rëndë shpirtërisht dhe u mbyll brenda vetes e shtëpisë së tij, duke u kujdesuar për lulet, deri sa ndërroi jetë në 1986-ën, pasi Manush Myftiu “nuk mundi” që ta nxirrte dot jashtë për kurim…?!
Dashnor Kaloçi
Pasi lë mbrapa sheshin “Avni Rustemi” në krah të djathtë të rrugës që merr për nga pjesa lindore e qytetit të Tiranës, e rrethuar nga disa pallate të ndërtuara gjatë periudhës së “realizmit socialist”, në mes një kopshti të rrethuar me lule e mur të lartë, ndodhet shtëpia e familjes Mima, e ndërtuar aty nga mesi i viteve’30-të. Ndonëse ajo shtëpi e vjetër ndodhet disi e fshehur nga pallatet, që duket sikur do t’ja zënë frymën, dhe aktori i madh ka afro 35 vite që nuk jeton më, po të pyesësh nuk e ke shumë të vështirë ta gjesh. Pothuaj gjithë banorët e asaj lagjeje të bëjnë me dorë në drejtim të saj dhe në shenjë respekti për atë familje janë të gatshëm të shoqërojnë deri aty te porta 170. Familja Mima ishte vendosur në atë shtëpi, aty nga viti 1928, kur Dhimitri (Babai i Prokopit) një nënpunës i “Banka di Roma” që ishte ngritur asokohe në qytetin e Durrësit, ngriti filialin e saj në kryeqytet. Po kush ishte Prokop Mima, ku kishte studjuar ai dhe cila ishte e kaluara e tij? Si u fut ai në rrugën e artit skenik, cilat ishin disa nga peripecitë me të cilat ai u ndesh gjatë karrierës së tij artistike deri sa doli në pension? Lidhur me këtë na njohin dëshmitë e bashkëshortes së tij, Eleni Karalliu, vëllait, Miltos, kunatit Robert Zhvarc, si dhe regjisorit dhe aktorit të madh të kinematografisë shqiptare, të ndierit Rikard Ljarja, të cilat ua kemi marrë disa vite të shkuara.