Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur mesditën e sotme në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Punonjësi i policisë Erjon Goxhara ka qëlluar me armë zjarri 45-vjeçarin Lorenc Kosta, i cili është dërguar me urgjencë drejt spitalit. Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se plagosja ka ndodhur për motive xhelozie. Kosta dyshohet se i ka ngacmuar partneren efektivit të policisë, i cili ka qëlluar më herët me breshëri plumbash.
Goxhara më herët ka qenë komandant i repartit Shqiponja, ndërsa aktualisht punonte si punonjës i policisë kufitare. Në vendin e ngjarjes, përveç grupit hetimor ka mbërritur dhe drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj, ndërkohë që autori është shpallur në kërkim.
Sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes, Goxhara ka qëlluar me breshëri arme, ndërsa plumbat e kanë kapur Kostën në zonën e këmbëvve. Ai ka humbur sasi të madhe gjaku, ndërsa ndihma i është dhënë nga kalimtarët e rastit.