Autori i vrasjes së 34 vjeçarit Amarildo Hoxhallari mbrëmjen e së Shtunës në kryeqytet ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve. Sipas Darmend Kelit, Hoxhallari ngacmoi të fejuarën e tij, e ofendoi dhe ishte i pari që e goditi.
“Sapo kisha arritur afër shtëpisë bashkë me të fejuarën. Ajo shkoi tek parkimi dhe unë u ngjita lart, kur shikoj një motor që po e ndiqte dhe po e ngacmonin. Nga ballkoni u fola, por më ofenduan. Mora thikën dhe zbrita poshtë. Ata ishin dy veta. Amarildo Hoxhallari më ofendoi sërish dhe goditi. Në sherr e sipër e godita me thikën që kisha marrë në shtëpi. Nuk kisha qëllim ta vrisja, por më ofendoi dhe më goditi përpara”, ka rrëfyer i riu për krimin.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:45 në Astir. 25 vjeçari e goditi dy herë me thikë Hoxhallarin. Ky i fundit u dërgua në spital i plagosur, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Ndërkohë policia bën me dije se është arrestuar edhe drejtuesi i motomjetit që shoqëronte Hoxhallarin. Sipas bluve, shtetasi me inicialet A.M ka rezultuar se drejtonte motorin në gjendje të dehur.