30-vjeçari Fatmir Bejo, një nga personat e shpallur në kërkim lidhur me sherrin masiv që u regjistrua në lokalin “Sin” në Palasë mes datës 24 dhe 25 gusht, nuk është një emër i panjohur për sedat e uniformave blu, e megjithatë, i riu ka mundur të marrë pjesë qetësisht në koncertin e asaj mbrëmjeje të këngëtarit grek Konstantinos Argiros. Bejo dyshohet se është një nga personat kryesorë të përfshirë në këtë përplasje e cila la të plagosur Luçiano Koçekun dhe Fatbardh Aliun.
Ky nuk është rasti i parë ku së paku mediatikisht, Fatmir Bejo përmendet si person i përfshirë në një ngjarje me prapaskenë kriminale. Në prill të viti 2023 Fatmir Bejo dhe vëllai i tij Alban Bejo, në zonën e Kombinatit në Tiranë, në rrugën “Besim Alla”, për shkak të një borxhi, kanë marrë peng biznesmenin Gjergji Fela duke dhunuar. Për këtë ngjarje u arrestua vetëm i vëllai ndërsa Fatmir Bejo nisi “arratinë” e cila vijon ende. Alban Bejo pretendonte aso kohe se Gjergj Fela i ka një borxh prej 25 mijë eurosh.
Ngjarja e dytë ku përmendet sërish emri i Fatmir Bejos është plagosja me thikë e ndodhur në shkurt të këtij viti në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë ku i plagosur mbeti Mirel Ishka. Edhe pas kësaj ngjarjeje Fatmir Bejo vijoi arratinë qetësisht aq sa mundi të festonte me shampanjë në Palasë në koncertin e këngëtarit grek dhe të regjistronte ngjarjen e tretë si i përfshirë në një krim ndonëse në kërkim.
A do të arrijë policia që ta arrestojë Bejon në sagën e tretë të krimeve që ka nisur apo do të ketë akoma vazhdim, seria e ngjarjeve kriminele nga 30-vjeçari dhe policia do vazhdojë të bejë një sy qorr e një vesh shurdh?