Policia e Beratit nisi hetimet. Në Arrëz të Dimalit u dëmtuan edhe 110 rrënjë ulliri, tjetri po digjte mbeturinat në Bogovë
Berat- Policia e Beratit ka arrestuar një person të dyshuar që akuzohet si piroman, pasi i vunë zjarrin tokave dhe shkaktoi dëme të shumta në sipërfaqe me ullishta, teksa procedoi penalisht edhe dy të tjerë, po për të njëjtën vepër.
Në pranga ra Armando Jaho, banues në Dimal, kurse në gjendje të lirë u procedua Lirim Laze, banues në Skrapar dhe një i tretë.
Procedimi i parë njoftohet se u bë për ngjarjen e ndodhur në fshatrat Arrëz dhe Bogovë, ku si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën sipërfaqe toke dhe 110 rrënjë ulliri. Një person i dytë përveç të ndaluarit Jaho, 45 vjeç, po hetohet në gjendje të lirë. Ullishtat ishin në pronësi të disa banorëve të tjerë, teksa nga hetimet rezulton se zjarri kishte dalë nga kontrolli.
Kurse Komisariati i Policisë Skrapar referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për Lirim Lazen, 44 vjeç, pasi si pasojë e përhapjes së flakëve të zjarrit që kishte ndezur në vendin e quajtur “Rrasa e Dobrushës”, në Bogovë, për të djegur mbeturina, është djegur një sipërfaqe toke, pronë publike.