Ekipet e terrenit të Bashkisë së Tiranës po vijojnë punën për rikualifikimin e lagjeve të banimit në zonën e ish-Bllokut, në Njësinë 5. Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet në zonën që kufizohet nga rrugët “Sami Frashëri”, “Pjetër Bogdani”, “Andon Zako Çajupi” dhe “Moskat”. Ai theksoi se ndërhyrjet do të bëhen kryesisht në rrjetin nëntokësor, për t’i paraprirë shirave të stinës. Veliaj tha se do t’i jepet zgjidhje edhe hyrjes në lagje, pasi me ndërtimin e pallateve pas viteve ’90-të nuk është menduar për rastet e emergjencës.
“Sot zona e ish Bllokut është e rrethuar me pallate dhe një pjesë e madhe e problematikës gjatë dimrit, me shirat, vjen nga fakti se infrastruktura nën tokë është bërë për një numër më të vogël banorësh. Aktualisht numri i banorëve këtu ka kapur kulmin dhe kanalizimet s’mbajnë më. Prandaj, do të shkojmë në një kapacitet shkarkues shumë herë më të lartë. Pavarësisht se në pamje të parë sipërfaqja duket relativisht mire, duhet të fokusohemi te nëntoka. Kemi pasur shumë problematika me pallatet e ndërtuara dhe legalizuara në zonën e “Moskateve”. Nuk është menduar edhe për pjesën e daljes, sidomos për hyrjen e emergjencës në pallatet e vjetra. Nëse kjo është bërë e mundur në lagjet e reja, duke u konceptuar që në fillim, këtu na duhet të gjejmë një zgjidhje momentale, pasi nuk është menduar gjatë kaosit të viteve 90-të”, tha Veliaj.
Ai shtoi se do të shfryrëzohet e gjithë periudha e verës, kur banorët janë me pushime, në mënyrë që punimet për rikualifimin e zonës të përfundojnë në kohë. Veliaj u kërkoi banorëve të tregohen mirëkuptues për parkimet, duke rekomanduar parkingun e bashkisë te stadiumi “Selman Stërmasi”.
“Janë 100 vatra që duam t’i sistemojmë përpara se njerëzit të kthehen nga pushimet. Rrugët janë pak më të lira për aksesin e fadromës dhe mjeteve të rënda. Do ju kërkoj të gjithë banorëve të tregohen mirëkuptues për çështjet e parkingut. Mund të parkojnë pranë stadiumit “Dinamo”, aty ka një parking të bashkisë. Besoj që testin e parë do ta kemi në nëntor-dhjetor, kur të fillojnë shirat, dhe të kuptojmë se si po na funksionojnë drenazhimet dhe kanalizimet e reja”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku ftoi prindërit të bëjnë regjistrimet e fëmijëve në shkollat, kopshtet dhe çerdhet pranë shtëpive të tyre, të cilat janë ndërtuar me të njëjtat standarde si ato në qendër. Ai dha edhe lajmin e mirë se gjatë vitit do të nisë puna për rindërtimin e shkollave “Edith Durhami” dhe “Petro Nini Luarasi”.
“I ftoj qytetarët të respektojnë vendimet e Njësisë Administrative, kur vjen puna tek regjistrimi për shkollat, për kopshtet dhe çerdhet. E di që ka akoma njerëz që me mentalitetin e viteve ’80-’90 mendojnë se një shkollë është më e mirë se tjetra, por të gjitha shkollat, kopshtet dhe çerdhet janë njësoj, me mësues dhe edukatore nga portali. Lajmi i mirë është se do të nisim ndërtimin e shkollës “Edith Durham” dhe na duhet të transferojmë nxënësit te “Emin Duraku”. Shkollat e ish Bllokut, që deri dje ishin elitare, sot duken vjetërsira krahasuar me mbi 40 shkollat e reja moderne që kemi bërë në Tiranë. Do të ndërtojmë edhe“Petro Ninin” sepse edhe ajo shkollë ka lezet të jetë si “Qemal Stafa”, si “Sami Frashëri”, si “Partizani”, por që ta bëjmë këtë, do të na duhet bashkëpunim”, u shpreh Veliaj.
Projekti i Bashkisë së Tiranës në bllokun e banimit në Njësinë 5, përfshin rikonstruksionin e rrugëve “Moskat” dhe “Andon Zako Çajupi”, me ndërhyrje në shtresat asfaltike dhe trotuare. Gjithashtu, Bashkia do të mundësojë sistemimin e hapësirës së brendshme të bllokut, si dhe aksesimin e lagjes nga zjarrfikësja në rast emergjence. Projekti parashikon edhe ndërtimin e një rruge të re, që lidh rrugën “Moskat” me bllokun e banimit, për t’i dhënë atij frymëmarrjen e nevojshme, duke lehtësuar hyrjen dhe daljen e makinave. Për të paraprirë problematikat nga shirat, do të bëhet pastrimi i pusetave ekzistuese dhe hapja e një pusete fundore për të bërë lidhjen me rrjetin ekzistues.