Banorët thonë se mijëra vetë në zonën e Khan Yunis po përpiqen të largohen nga fusha e luftimeve pasi ushtria izraelite nisi një operacion të ri ushtarak në këtë rajon në jug të Rripit të Gazës dhe Izraeli urdhëroi një evakuim të ri të popullsisë nga kjo zonë.
Operacione ushtarake të vazhdueshme
Ushtria izraelite tha se sipas të dhënave të shërbimeve sekrete në këtë zonë ka terroristë, të cilit ishin riorganizuar pas tërheqjes së fundit të forcave të armatosura të Izraelit nga ky rajon. Forcat ajrore të Izraelit sulmuan gjithashtu më shumë se 30 objektiva të organizatës terroriste islamike Hamas, ndër to edhe depo armësh. Sipas ushtrisë prej sulmeve u vranë disa terroristë.
Ushtria izraelite ka ndërmarrë në të kaluarën disa herë dhe për periudha të gjata kohore operacione ushtarake kundër njësive luftarake të Hamasit në Khan Yunis, por pas tyre ajo ishte rikthyer në pozicionet e saj të përhershme jashtë qytetit. Ushtria izraelite ishte për herë të fundit aktive në Khan Yunis në korrik, por u tërhoq përsëri në fund të muajit. Sipas zyrës së mediave të kontrolluar nga Hamasi gjatë operacionit të korrikut u vranë 255 vetë dhe u plagosën rreth 300 të tjerë./ DW