Ekipi i kandidatit për president të SHBA-së, Donald Tramp (o. Trump), duket se ka rënë pre e një sulmi kibernetik dhe dyshimet janë se hakerimi është kryer nga Irani.
Media amerikane “Politico” ka njoftuar ekipin që po organizon fushatën elektorale të ish-presidentit Tramp se ka marrë një imejl me dokumente, ku përfshihen edhe të dhëna në lidhje me kandidatin e tyre për zëvendëspresident, senatorin e Ohajos J.D Vens (o. Vance).
“Këto dokumente janë marrë në mënyrë të jashtëligjshme nga burime të huaja armike të SHBA-së dhe përmes tyre synojnë të ndërhyjnë në zgjedhjet e këtij viti,” u shpreh një zëdhënës i ekipit të Trampit për BBC.
Republikanët nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme apo prova që e lidhin rrjedhjen e dokumenteve me hakerët apo me qeverinë iraniane.
Para kësaj deklarate, Microsoft publikoi një raport, sipas të cilit në muajin qershor hakerët iranianë kishin shënjestruar fushatën e njërit prej kandidatëve amerikanë për president, por pa dhënë emra.
Një raport të ngjashëm Microsoft e pati publikuar edhe gjatë presidencialeve të 2020-ës, ku shkruhej se hakerët nga Irani kishin pasur si objektiv fushatat presidenciale.
Shërbimet e sigurisë në SHBA gjithashtu kanë paralajmëruar për një komplot të Iranit për vrasjen e ish-presidentit Tramp, i cili nuk ka lidhje me atentatin e ndërmarrë ndaj tij në Pensilvani një muaj më parë.
Të martën, Departamenti i Drejtësisë ngriti akuza ndaj një shtetasi pakistanez, i cili mendohet se ka lidhje me komplotin për të vrarë zyrtarë amerikanë, përfshirë edhe ish-presidentin Tramp.