“Po çfarë presidenti, po çfarë senatori, ti je thjesht një mashtrues”, “Lamtumirë, kur është nekrologjia jote?”. Këto janë vetëm disa nga shkrimet në pankartat dhe posterat që janë shfaqur në rrugët e Romës dhe Lacios, në gjashtë muajt e fundit. Të gjitha me kërcënime të rënda drejtuar presidentit të Lacios dhe senatorit Claudio Lotito. Dhe nuk janë të vetmet mesazhe vdekjeje të marra nga drejtuesi i të kaltërve, pasi Lotito merr çdo ditë edhe qindra telefonata shqetësuese.
“Të gjitha këto presione mund të gjurmohen tek ata që do të dëshironin që unë të shes kompaninë, të cilën e mora plot borxhe dhe që tani është në gjendje të shkëlqyer, por nuk dorëzohem”, thotë Lotito, sipas “La Repubblica”.
Dhe shton: “Më duket sikur jam kthyer në vitin 2015, në kohën e Diabolik. Edhe atëherë, fillimisht folëm për tifozët dhe më pas pamë se ata që konsideroheshin tifozë ishin diçka krejtësisht tjetër”, vijon ai.
Ngjarjet po i heton Prokuroria e Romës. Lotito paraqiti dhe ankesa të detajuara dhe zv.prokurori Pantaleo Polifemo ka hapur një çështje për persona të panjohur për momentin, duke deleguar hetimet tek “Digos” e Romës, duke hipotezuar krimin e kërcënimeve të rënda të përsëritura.
Hetuesit po përpiqen t’i japin fytyrë dhe emër autorëve të kërcënimeve. Për këtë ata synojnë të marrin tabulatet telefonike të deputetit. Lotito ka dhënë tashmë OK, por drita jeshile përfundimtare tani pritet nga Senati.
Në denoncimin e paraqitur, senatori saktësoi se “përmes kontakteve telefonike, prej disa muajsh ka marrë dënime të rënda kërcënuese nga subjekte të panjohura, përmbajtja e të cilave i referohet temave që kanë të bëjnë me drejtimin e ekipit sportiv të S.S. Lacio”. Hetuesit synojnë të marrin të gjitha tabulatet telefonike të deputetit, duke filluar nga gushti i vitit të kaluar.
Ndërkohë, eskorta e Lotitos është forcuar dhe agjentët që e mbrojnë mbajnë vazhdimisht jelek antiplumb. “Ndonjëherë nuk mund të bëj as një telefonatë, pasi më bombardojnë telefonata nga persona të panjohur që më kërcënojnë”, pohon parlamentari.
Teksa e cilëson si një ferr situatën, ai shton:
“Në demonstratat e fundit të organizuara kundër meje, u dalluan qartë autorët e kërcënimeve. Nuk mendoj se është e vështirë t’i identifikosh dhe shumë më duken të njëjtët që tashmë kanë qenë përgjegjës për veprime të rënda në të kaluarën”.
Teksa gjuetia për autorët e mesazheve të vdekjes është e hapur dhe autoritetet vijojnë procedimin penal.