Boksierja algjerian Imane Khelif do të hedhë në gjyq Elon Musk dhe JK Rowling për “nxitje të ngacmimit kibernetik”. Të dy, por edhe shumë të tjerë shkaktuan reagime të forta për pjesëmarrjen e saj në Lojërat Olimpike të Parisit. Nabil Boudi, avokati me bazë në Paris i fitueses të medaljes së artë, tha për “Variety” se manjati i Tesla-s dhe autorja e Harry Potter u përmendën të dy në kallëzimin penal. Padia u ngrit kundër medias sociale ‘X” sipas ligjit francez.
Boudi shpjegoi se Prokuroria franceze ka të gjithë lirinë që të hetojë.
Lajmi vjen pak ditë pasi Khelif mori në shtëpi medaljen e artë në garën e boksit për 66 kilogramë për femra. Ajo doli fituese pasi duroi një “lumë” sulmesh lidhur me gjininë e saj. 25-vjeçarja, e cila nuk është transgjinore, dyshohet se ka ‘kromozome XY’ mashkullore që çuan në skualifikimin e saj nga kampionati botëror 2023. Më pas, pjesëmarrja e saj në Paris solli shumë reagime.
E gjithë polemika nisi, pas ndeshjes me Carinin. Sipas informacioneve të mëparshme, Khelif u ndalua të garojë në Indi në vitin 2023, pasi sipas analizave ajo ka hormone më të larta mashkullore, të cilat në nivele të caktuara janë të paligjshme në kategorinë e femrave. Sipas të dhënave, ajo dhe një boksiere nga Tajlanda kishin të njëjtin nivel testeroni si meshkujt. Ndaj edhe nisën ta cilësonin si “burrë” apo “trans”. Kundër saj dolën edhe figura publike si: Donald Trump, Giorgia Meloni, Elon Musk, Piers Morgan, J.K. Rowling dhe shumë të tjerë.
Përgjigjen e morën nga Khelif, fillimisht me një medalje ari në qafë, e më pas me një padi.