Bashkia e Tiranës e ka nisur nga Njësia 7 projektin për korsitë e dedikuara për autobusët.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi gjatë mbrëmjes nisjen e punës, duke e vënë theksin te rëndësia e projektit, i cili ndihmon në qarkullimin më të mirë të autobusëve dhe përmirësimin e shërbimit për qytetarët.
“Po e fillojmë nga Njësia 7, në segmentit nga ‘Zogu i Zi’ në drejtim të ’21 Dhjetorit’ dhe ‘Vasil Shantos’, ku do të kemi edhe korsi për biçikletat dhe monopatinat. E gjetëm Tiranën me 1% të qytetarëve që përdornin biçikleta, kurse sot jemi në 10%. Sa më shumë inkurajojmë këto korsi, aq më shumë ngarkesë heqim nga rruga. Çdo njeri që zgjedh një mënyrë alternative – në këmbë, me biçikletë apo monopatinë – praktikisht, i ka ikur trafikut dhe ka ndihmuar edhe ata që lëvizin me autobus, edhe shoferët”.
Kryebashkiaku shtoi se prioritet i kësaj ndërhyrje janë korsitë e dedikuara të autobusëve, ku do të aplikohet e njëjta eksperiencë e suksesshme, si në Rrugën e Durrësit apo Rr. “Dritan Hoxha”. Projekti i korsive të dedikuara dhe i rinovimit të shërbimit të autobusëve quhet “Urbani” dhe parashikon vendosjen e stacioneve në Google Maps, pajisjen e tyre me tabela informuese, numrin e itinerarit
Kreu i Bashkisë u ndal edhe te zgjidhja e problemit te vendi i njohur si nyja e “Kastriotëve”. Veliaj u shpreh se aty do të ndërhyhet duke krijuar një rrethrrotullim.
“Një nga ndërhyrjet kryesore ka të bëjë me nyjen e ‘Kastriotëve’. Aty do të punojmë për një rrethrrotullim të madh, që do të jetë një shpëtim për të gjithë ata qytetarë që shkojnë e vijnë nga Tirana. Lidhet një lagje shumë e rëndësishme e Tiranës, që është pjesa e Njësisë 11 përtej lumit, si Kodër-Kamza, dhe sigurisht është lehtësim për të gjithë qytetarët fantastikë të Kamzës, një krah pune i jashtëzakonshëm që vjen çdo ditë në Tiranë, por edhe për studentët e mrekullueshëm të Kamzës, që vijnë për të studiuar në Universitet e Tiranës”, tha ai.
Prioritet i këtij projekti infrastrukturor në Njësinë 7 janë korsitë e dedikuara të autobusëve, si edhe tabelat informuese, që do të vendosen në çdo pikë stacion autobusi. Tabelat do kenë një rëndësi të veçantë, pasi do të kenë një informacion më të detajuar për vendndodhjen dhe kodin unik të zonës.