Deputeti Erjon Braçe ka reaguar lidhur me dy anijet me 816 ton të dyshuara mbetje toksike të dala nga Kurum dhe nga porti i Durrësit janë transportuar drejt Tajlandës .Një ditë më parë u mësua se kompania turke ku punojnë 500 punëtorë kishte mbyllur dyert dhe kishte pezulluar aktivitetin për një javë.
Për deputetin socialist ky është një shantazh që kompania turke po bën ndaj qeverisë dhe I kërkon kësaj të fundit të mos tolerojë.
“Kurum nuk mund të marrë peng punëtoret! Kurum nuk mund të shantazhojë edhe një herë qeverinë-me PENGJE NJERËZORE! Kurum duhet ti nënshtrohet ligjit, t’i përgjigjet autoriteteve sipas ligjit, të çlirohet apo mbajë përgjegjësi në përputhje me ligjin! Asgjë më pak e asgjë më shumë! Punëtorët nuk hyjnë në këtë mes. Madje me punëtoret Kurum po bën krim edhe ky duhet hetuar!”
“E ka bere edhe një herë më parë këtë shantazh kur shpalli falimentin për ti ikur hetimeve për evazion fiskal, jo më! Kurrë më! Nuk mundet një kompani të marre peng punëtoret e të shantazhojë qeverinë me ta! Nuk duhet toleruar!
Po, ka qenë e privilegjuar e ka përfituar në mënyrë klienteliste-për mua të padrejtë, në energji, porte e metalurgji-deri në kufijtë e monopolit, por ajo kohë ka mbaruar!
Brace është krah qeverisë edhe sa I takon vendimit për të mos pranuar rikthimin e mbetjeve pa dalë rezultatet si dhe duke theksuar se i takon operatorit të mbajë përgjegjësi
Në anë tjetër, qeveria ka marrë vendimin e duhur për të mos pranuar këtu, mbetjet e dyshuara si te rrezikshme! Qeveria i ka dhënë prioritet hetimeve dhe analizave dhe kjo është rruga! Përgjigje për ata që siç me një lodër kineze që nuk bënë analizë biologjike e kimike të produktit damkosën frutat e perimet, po njësoj kanë shpallur mbetje të rrezikshme duke shërbyer vetë si laborator, përgjigje dhe për gjithë aradhen e politiqenëve që deri dje ulërinin për importin e mbetjeve që nuk ekzistonte, sot ulërijnë për eksportin e mbetjeve që duhet provuar në janë të rrezikshme apo jo!
Në deklaratën e përbashkët të bërë publike dje nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit theksohet se “dy operatorët ekonomikë, njëri në Shqipëri dhe tjetri në Kosovë po bëjnë përpjekje të dukshme për t’iu shmangur përgjegjësive, ndaj pritja e rezultatit të hetimeve dhe analizave përkatëse do të ishte më mirë se sa të ngarkohen me përgjegjësi agjencitë ligjzbatuese”.