Gjykata e City of Westminster Magistrate Court i dha ditën e djeshme dritën jeshile ekstradimit të organizatorëve dhe vëzhguesve të vrasjes së Ardian Nikulajt. Ngjarje e ndodhur më 19 prill 2023 në Shëngjin.
Gjyqtari Daniel Sternberg, e gjeti të bazuar në aktin britanik të ekstradimit, kërkesën e shtetit shqiptarë për ekstradimin e Edmond Haxhinë, Thomas Mithan, Harry Simpson dhe Harriet Bridgeman.
Sakaq, nuk është pranuar kërkesa për ekstradimin e Steven Hant pasi kohët e fundit ai është diagnostikuar me kancer.
E teksa dje është mbajtur edhe seanca gjyqësore në Londër, në rrjete sociale po qarkullon edhe foto e Harriet Bridgeman e cila është një nga personat që vëzhgonte lëvizjet e Ardian Nikulaj dhe më pas ia përcillte ekzekutorit Ruben Saraiva.
Më herët ka qarkulluar foto e Harriet Bridgeman nga kamerat e sigurisë, kur rrinte në hotelin e Nikulajt e kamufluar si turiste.
Bridgeman u shfaq ditën e djeshme në Gjykatë, ku u njoh me vendimin se do ekstradohej drejt Shqipërisë. Ajo u pa e veshur me një triko rozë, duke pirë cigare dhe folur në telefon. Burime për media bëjnë me dije se kur britanikja mori lajmin se do ekstradohet në Shqipëri ka shpërthyer në lot.
Britanikja vijojë të jetë e lirë në Londër me kusht deri sa të merret vendimi përfundimtar për ekstradimin në Shqipëri. Ajo është lënë e lirë pasi ka një fëmijë të mitur, ndërsa avokati i saj më herët ka argumentuar se Bridgeman ka probleme të shëndetit mendor dhe se mbyllja në një qeli mund ta përkeqësonte gjendjen e saj.
Edmond Haxhia akuzohet si porositësi dhe organizatori i atentatit mafioz. Ndërsa tre të tjerët kanë luajtur rolin e vëzhguesit.
Ndërsa ekzekutoi i këtij atentati ka qenë Ruben Saraiva, i cili u ekstradua nga Maroku në Shqipëri në 31 dhjetor 2023. Ruben Saraiva u arrestua në muajin Maj në Marok, pak kohë pas vrasjes në Lezhë. Ai kërkohet nga drejtësia shqiptare, pasi dyshohet se në bashkëpunim me tre shtetas britanikë të paguar nga Edmond Haxhia, kanë organizuar vrasjen e biznesmenit dhe politikanit lokal Ardian Nikulaj.
Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj ishte në vazhdën e zinxhirit të hakmarrjes që familja e viktimës kanë me një fis tjetër, konflikt ky që ndër vite ka prodhuar shumë viktima.