Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pasi ka humbur vulën zyrtare, ka dorëzuar dhe makinë që ishte në emër të PD.
Mjeti ‘Range Rover’, me të cilin ai është parë të lëvizë vitet e fundit, tashmë është rikthyer në oborrin e selisë së Partisë Demokratike, e cila ka për kryetar Sali Berishën, i cili prej më shumë se 8 muajsh ndodhet nën masën e arrestit të shtëpisë.
Makina në fjalë është pronë e Partisë, dhe për këtë shkak Basha është detyruar që ta kthejë, ndërsa më herët i është dashur që të marrë një zyrë të re shumë pranë qendrës së Tiranës, pasi selia u mor nga mbështetësit e Berishës, edhe përmes protestave të dhunshme.
Ndërkohë që në fasadën e selisë blu, prej disa javësh është vendosur një pankartë e madhe, me mbishkrimin “Free Berisha” (lironi Berishën), pasi ish-kryeministri ndodhet në “arrest shtëpie”, prej dhjetorit të vitit 2023.
Pavarësisht arrestimit, Berisha dhe mbështetësit e tij, kanë arritur që të mbajnë shumicën e anëtarësisë, dhe tashmë edhe vulën, që iu dha me vendim të Apelit, në datën 11 qershor të këtij viti, pas një sage të gjatë përplasjesh gjyqësore.
Me marrjen e logos zyrtarisht, Flamur Noka i kërkoi Lulzim Bashës, dhe përfaqësuesve të tjerë, që kishin drejtuar më herët këtë forcë politike, që të dorëzonin të gjitha mjetet që kishin përfituar nga PD, përfshirë edhe menaxhimin e rrjeteve sociale, një pjesë e të cilave kanë mbetur ende në dorën e përfaqësuesve të mëparshëm të zyrës së shtypit.
Tashmë Range Rover është parkuar në selinë e SHQUP, në pritje të Sali Berishës. Deri atëhere, ndoshta e përdor Flamur Noka, si numri dy i partisë.