Megjithëse në marrëdhëniet midis vendit tonë dhe Greqisë ka pasur momente tensioni me deklarata dhe kundër deklarata, sidomos pas muajit maj të vitit 2023, në dy javët e fundit po jepen sinjale të normalizimit të situatës. Politikanë dhe të zgjedhur vendorë nga Greqia, duke folur për Radio Televizionin Shqiptar, theksojnë se midis popullit grek dhe popullit shqiptar asnjëherë nuk ka pasur problem.
Maria Qefalla, është Deputete në Parlamentin Grek e zgjedhur me Partinë në pushtet Demokracia e Re në Rajonin e Janinës. Ka qenë edhe Zëvendës Ministre në Ministrinë e Mirëkuptimit Shoqëror dhe të Familjes në një nga qeveritë e mëparshme të Kryeministrit, Qirjakos Micotaqis.
“Mund të them që popujt nuk kanë çfarë të ndajnë. Ata jetojnë në harmoni dhe këtë e vë re veçanërisht në rajonin e Janinës. Greqia ka mbështetur vazhdimisht rrugën evropiane e Shqipërisë, por duke respektuar të drejtat e njeriut dhe të minoritetit”, u shpreh deputetja e parlament grek, Maria Qefalla. Kryetari i Bashkisë së Pogonit në Rajonin e Janinës, Kostandinos Kapsalis, prej tre dekadash bashkëpunon me njësitë vendore në jug të vendit tonë dhe ka shumë njohje me banorë të Bashkisë Dropull.
“Marrëdhëniet e Dropullit dhe fshatrave minoritare në zonën time janë më të mirat dhe kështu duhet të jetë me të gjitha palët. Të gjitha problemet e krijuara në të shkuarën do të zgjidhen përfundimisht me anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ky është objektivi i Shqipërisë dhe Greqisë”, u shpreh kryetari i Bashkisë Pogon, Kostandinos Kapsalis.
Aktualisht, në Greqi janë rreth 280 mijë shtetas shqiptarë me të drejtë vote.