Kufijtë ajrorë, tokësorë dhe detarë gjithmonë shkaktojnë konflikte dhe kriza mes dhe brenda vendeve të ndryshme. I tillë ishte rasti i gati dy dekadave më parë, kur ish-kryeministri Sali Berisha me qeverinë e tij firmosën “Marrëveshjen e detit” me Greqinë në mënyrë të njëanshme dhe pa konsultim publik apo referendum.
Dhe sot bëhen fiks 17 vite nga marrëveshja që qeveria e djathtë e PD me aleatët e saj, ku më pas do bënte pjesë edhe kreu i PL, Ilir Meta (2009), tentoi të bënte me qeverinë greke, duke shmangur institucionin e Presidentit të Republikës. Fatmirësisht, marrëveshja u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, por shkaktoi polemika dhe protesta.
Është ish-komandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari, ai që e kujton urdhrin e kryeministrit Sali Berisha në atë kohë dhe draft-marrëveshjen e firmosur nga Lulzim Basha dhe ish-ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis, me prezencë të ish-kryeministrit Berisha që lëshoi urdhrin dhe homologut të tij në atë kohë, Kostantinos Karamanlis.
“23 gusht 2007 doli Urdhri Nr. 135, datë 23.8.2007, i Kryeministrit të RSH për fillimin e negociatave për detin me Greqinë. Ky urdhër nuk ishte i autorizuar nga Presidenti i Republikës, sipas legjislacionit në fuqi dhe urdhëron vetëm delimitimin e shelfit kontinental dhe zonës ekskluzive ekonomike me Greqinë. Grupi negociator, në shkelje të ligjit nisi negociatat pa autorizim të Presidentit dhe ne shkelje të këtij urdhri delimitoi edhe detin territorial”, shkruan Muçollari ndër të tjera.
Teksa më tej thekson edhe shkeljet e kryera për rastin, të shpjeguara teknikisht.
“Të dyja këto veprime janë konsideruar në shkelje të ligjit nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese Nr. 15, datë 15 prill 2010, që shpalli antikushtetuese draft-marrëveshjen e detit me Greqinë, të firmosur më 27 prill 2009 në Tiranë”, shkruan ai, teksa ndan dhe urdhrin e plotë, duke përfshirë dhe emrat e anëtarëve të grupit negociator.
Grupin e punës e drejtonte Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme dhe në të bënin pjesë; Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Mjedisit, Mbrojtjes së Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Ministria e Punëve të Jashtme, Agjensia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Instituti i Gjeografisë Ushtarake.
Gjithashtu ishin ftuar edhe përfaqësues nga Akademia e Shkencave. Urdhri hynte në fuqi menjëherë dhe ishte i firmosur nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Përfaqësuesit e ministrive të linjës në grupin ndërinstitucional të punës për përcaktimin e shelfit kontinental me vendet fqinje, sipas urdhrit te Kryeministrit Nr. 135, date 23.8.2007, ishin si më poshtë:
Ministria e Punëve të Jashtme
-Ferit Hoxha, Sekretar i Përgjithshëm
-Ledia Hysi, Drejtore e Drejtorisë së Çështjeve Juridike dhe të Drejtës Ndërkombëtare
-Suela Ibrahimi, spcialiste në Drejtorinë e Çështjeve Juridike dhe të Drejtës Ndërkombëtare
-Enkeleda Merkuri, specialiste në Drejtorinë e Përgjithshme Rajonale
Ministria e Mbrojtjes
-Kristaq Gerveni, Kapiten i Rangut të Parë, Komandant i Forcës detare, Shtabi i Përgjithshëm
-Bektash Petoshati, Nënkomandant i Forcës detare, Shtabi i Përgjithshëm
-Agim Lleshi, Nënklonel, Oficer shtabi për doktrinën dhe manualet, Drejtoria e Operacioneve dhe Stërvitjes, Shtabi i Përgjithshëm
Instituti i Gjeografisë Ushtarake
-Miranda Zeka, Drejtore e IGJU
Ministria e Drejtësisë
-Ana Shkëmbi, specialiste në Drejtorinë e Integrimit dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare
Ministria e Brendshme
-Krenar Muço, Kryekomisar, Drejtor i Shërbimeve Operacionale në Departamentin për kufirin dhe Migracionin, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit
Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit
-Shkëlqim Xhaxhiu, Shef sektori në Drejtorinë e Politikave të Transportit Detar
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
-Stavri Dhima, Përgjegjës Sektori i Politikave Primare, Drejtoria e Përgjithshme e Politikave Primare
Agjensia Kombëtare e Burimeve Natyrore
-Milo Kuneshka, Kryetar Agjensisë Kombëtare e Burimeve Natyrore
-Fatbardh Ademi, Drejtor i Departamentit të Hidrokarbureve, Agjensia Kombëtare e Burimeve Natyrore
Ministria e Mjedisit, Mbrojtjes së Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave
-Skënder Hysi, Përgjegjës i Sektorit të Ujrave në Drejtorinë e Politikave të Mbrojtjes së Natyrës
-Nihat Dragoti, Përgjegjës i Sektorit të Zonave të Mbojtura në Drejtorinë e Politikave të Mbrojtjes së Natyrës
Akademia e Shkencave
-Mitat Sanxhaku
-Miriam Bogdani
-Emirjeta Adhami