Në mesin e dhjetorit të vitit 2012, Shtëpia Botuese “Toena”, nxori në qarkullim, vëllimin e dytë të librit me kujtime të Presidentit të Republikës, z. Alfred Moisiu, vëllim, ku përfshihet periudha kohore e shërbimit në Ushtrinë Shqiptare, pas kthimit nga studimet në Akademinë e Inxhinierisë Ushtarake në Moskë, nga viti 1958, deri në janar 1985, që është dhe koha e daljes së tij në pension. Në këtë periudhë, tregohet veprimtaria e tij, që nga detyra e instruktorit në Drejtorinë e Xhenios të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, deri si zëvendësministër i Mbrojtjes, dhe më pas koha e vuajtjes së dënimit, pas uljes në detyrë, si shef Xhenio Brigade, në Burrel.

Jepen të dhëna gjatë punës si Komandant Brigade në Kavajë, për zhvillimet në Ushtrinë Shqiptare, pas daljes nga “Traktati i Varshavës”, mbi të ashtuquajturin “Puç Ushtarak” në vitin 1974-‘75, mbi fortifikimin, mbi periudhën e spastrimeve në ushtri, pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, në dhjetorin e vitit 1981. Më tej, tregohet për kohën në pension, për zhvillimet demokratike, për punën si ministër i Mbrojtjes, në Qeverinë Teknike të vitit 1991-1992, vazhdimi i karrierës së mëtejshme në atë ministri pas fitores së Partisë Demokratike, në vitin 1992, deri në vitin 1997, përfshi edhe ngjarjet e atij viti të paharrueshëm. Flitet mbi organizimin dhe veprimtarinë e Shoqatës Shqiptare të Atlantikut, deri në qershor 2002, kohë ku ai zgjidhet President i Republikës së Shqipërisë.

Në këtë shkrim, është përzgjedhur kapitulli, ku flitet për ngjarjet e dhimbshme në Ushtrinë Shqiptare, gjatë viteve të diktaturës komuniste. Në pjesën e parë të materialit të përzgjedhur, flitet për akuzat e para dhe më tej dënimin e Beqir Ballukut, akuzat dhe mbledhjet e frikshme, dhe fillimi i spastrimit që depërtoi deri në themelet e Ushtrisë Shqiptare. Me shumë rëndësi është trajtimi i figurës së ish-kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Mehmet Shehut, i cili në këtë pasazh, shfaq dyshimet e tij të para dhe pasigurinë, tek i thotë Muhamet Prodanit, “Mbylle gojën, se do ta hash edhe ti! Nuk e kupton që s’kam ç’të bëj…”!

NGJARJET E TË ASHTUQUAJTURIT “PUÇ USHTARAK”

Nga fundi i vitit 1972, në Teatrin Popullor u shfaq pjesa teatrale e Mirush Jeros, “Njollat e murrme”. Për këtë pjesë teatrale në shtyp, pati komente të ndryshme pozitive, por edhe në biseda, flitej se në art, po frynte një erë e re liberale, që premtonte diçka më ndryshe. Mehmet Shehu, kur e kishte parë, ngaqë e kishte pëlqyer, e kishte duartrokitur, kurse për Enver Hoxhën tregonin, se kur pas disa ditësh e pa, gjatë gjithë shfaqjes kishte qëndruar fytyrëngrysur, mandej, në fund e kishte anatemuar. Në mars të vitit 1973, në një mbledhje të aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, Enver Hoxha lëshoi ndaj Fadil Paçramit, akuzën që se priste kurrë, duke e quajtur atë; “Rrufjan politik”, shprehje ende e padëgjuar më parë, nga goja e tij.

Si me komandë, filloi ndjekja e shkrimtarëve të dramave, një nga të cilët ishte edhe Fadil Paçrami. Kur në mesin e vitit 1973, u zhvillua Plenumi i 4-t i Komitetit Qendror të PPSh-së, u shpallën “armiq” dhe u dënuan; Todi Lubonja, Dashnor Mamaqi, Fadil Paçrami, si dhe disa kuadro të tjerë, të sektorit të edukimit dhe kulturës. Dukej qartë se, pavarësisht se si servireshin problemet, përpara do të kishim një furtunë, por asnjëherë nuk mund ta kishim menduar, atë që ndodhi më vonë. Ky plenum ishte shumë i ashpër, por kryesisht u përqendrua në sferën e kulturës dhe të ideologjisë. Vendimet e këtij plenumi, me kuadrot kryesorë të Ushtrisë, u punuan në Durrës.