Shefi i antidrogës në Policinë e Durrësit, Gazmir Preçi, ka dalë sot para Gjykatës së Posaçme, për t’u njohur me masën e sigurisë, dy ditë pas arrestimit në flagrancë, duke marrë një shumë prej 10 mijë eurosh, nga pronari i një lokali nate striptizmi pranë Urës së Dajlanit.
Shkëmbimi i parave u bë në një lokal në zonën e Kinostudios në Tiranë, nën mbikqyrjen e AMP-së dhe autorizmit të dhënë nga Prokuroria e Posaçme. Në dëshminë e tij, dhënë sot para Gjykatës, Preçi ka kërkuar lirinë me pretendimin se është babai i 3 fëmijëve të mitur. Po ashtu ai ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për shumën e parave që pronari i lokalit kishte në zarf.
‘Jam baba i tre fëmijëve të mitur, kërkoj një masë më të butë sigurie. Kam shkuar vetëm se më ka kërkuar pronari i biznesit. Nuk e dija se kishte lek brenda zarfit dhe në momentin e arrestimit kam kërkuar që pakoja të hapet në praninë e avokatit, gjë e cila nuk më është mundësuar”, ka deklaruar Preçi.
Por pavarësisht pretendimeve të shefit të Antidrogës, dhe mbrojtjes së tij, GJKKO ka konfirmuar masën e sigurisë arrest me burg ndaj Preçit. Burime bëjnë me dije për ZËRI-n, referuar dosjes së SPAK, se Preçi i kishte kërkuar një shumë prej 20 mijë eurosh, pronarit të klubit të natës, ‘Night’ që ndodhet tek Ura e Dajlanit në Durrës, me kërcënimin se në të kundërt do i bllokonte biznesin. Ky i fundit i gjendur nën kushtet e presionit, ka bërë kallëzim në AMP, ku më pas janë kryer dhe hetime, që më pas çuan në arrestimin në flagrancë të shefit të Antidrogës.
Preçi ka qenë inspektor policie në Mallakastër, ku dhe u vu nën hetim, për favorizimin e mbjelljes së kanabisit.
Megjithatë 3 vite më vonë, ai e gjen veten në një detyrë të rëndësishme në komisariatin e Policisë në Durrës, ku këtë herë kishte marrë rolin e gjobvënësit ndaj bizneseve. Pas kontrolleve që kishte kryer disa herë me radhë në një lokal nate striptizmi në qytetin e Durrësit, dhe ku nuk kishte konstatuar shkelje, Preçi, i kishte kërkuar pronarit një shumë prej 20 mijë eurosh, me pretendimin se kishte gjetur punonjës të pasiguruar, edhe pse kjo nuk është kompetencë e institucionit të policisë.
I gjendur në kushtet e presionit, pronari i biznesit e denoncoi Preçin në AMP, dhe më pas është bërë e mundur dhe arrestimi i tij një flagrancë, duke e futur në kurth. Pronari i biznesit dhe Preçi lanë takim në zonën e Kinostudios në Tiranë, ku shefi i sektorit do të merrte një pjesë të parave. I shkujdesur, i veshur me rroba sportive dhe me shapka shtëpie, Preçi mbërriti në lokalin ku pretendonte të merrte shumën e majme, por në këmbim mori prangat.
Përtej rastit të Preçit, që ishte një emër i njohur për drejtësinë, shqetësuese mbetet rritja e rasteve të korrupsionit në radhët e policë së shtetit, që dukshëm cënojnë besimin e qytetarëve.