Nga Dorjana Bezat
Dy fëmijë të vegjël mbetën pa baba. 3 dhe 12 vjeç. I ati punonte nga mëngjesi në darkë. Paradite ishte operator në OSHEE e qytetit dhe pasdite shërbente kafe në një lokal të vogël të marrë me qira. Isha në shtëpinë e tyre sot.
Babait të tyre, Eglit po i ndaheshin të tretat. Njerëz të veshur me të zeza dhe lot në sy. Por lot më therës ishin ata që binin nga sytë e Nazmiut, babait të Eglit. Pranoi ngushëllimet e mia dhe më tha:
“Më ndihmo të paktën ta di pse ma vranë djalin. Çfarë ndodhi atë një orë që unë u largova nga ai?”
Pse u vra Egli?
3 ditë pas ngjarjes të gjithë shprehnin keqardhje për vrasjen e tij, por kur i pyesja për të arrestuarit apo motivet e ngjarjes ngrinin supet.
Çuditërisht në Pogradecin e vogël askush nuk e njihte autorin; nuk dinte asgjë për të.
Biseda me shumë persona rridhte normalisht derisa përmendej ai emër.
Kudo lexohej frikë, burimin e të cilës duhet ta zbulojnë autoritetet, para se ta quajnë “të pakujdesshme” goditjen seri me grusht në kokën e 42 vjeçarit.
Kamerat e kanë kapur Eglin vetëm të gjallë. Ato të lokalit nuk punonin ndërsa të marketit përballë policia nuk po I administronte dot.
Por trupi I pajetë I 42 vjeçarit dëshmonte për çfarë kishte ndodhur. Gjithë ana e majtë e kokës së tij ishte u mbushur me hematoma dhe edema. Buza i ishte çarë. Në trotuarin ku ai qëndroi për minuta të tëra ende pas 3 ditësh kishte shenja të gjendjes së tij pas dhunës.
Si mund t’i them Nazmiut të shkretë se e gjithë kjo ishte një pakujdesi?!