Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha priti në një takim ambasadorin dhe diplomatë të ambasadës britanike në Tiranë, me të cilët bisedoi rreth bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe për çështje të tjera me rëndësi, me fokus asistencën britanike për Policinë e Shtetit.
Në një postim në rrjete sociale, Ministri i Brendshëm thekson se “prita për një vizitë kortezie Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Alastair King Smith, i cili është në përfundim të mandatit të tij në Tiranë. Në bisedën e zhvilluar ramë dakord për rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë. Ambasadori më siguroi që programet e asistencës për Policinë e Shtetit do të vijojnë sipas agjendës”.
Në lidhje me mbështetjen e qeverisë britanike për Policinë e Shtetit, ministri Hoxha nënvizon se “së fundmi, qeveria britanike ka ndarë një fond ‘grant’ prej 1 milion stërlina për ndërtimin e godinës së Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare dhe Migracionit në Laprakë”.
Sa i përket bashkëpunimit në të ardhmen, ministri i Brendshëm vë në dukje se “së bashku me Ambasadorin Alastair King Smith, dhe diplomatët që e shoqëronin, folëm edhe për tema të tjera në lidhje me bashkëpunimin dypalësh. Presim të vijojmë bashkëpunimin dhe forcojmë partneritetin strategjik mes dy vendeve tona”.