Monedha europiane ka regjistruar të hënën nivelin më të ulët historik kundrejt lekut. Sipas kursit mesatar të Bankës së Shqipërisë, euro këmbehet me 99,95 lekë, duke thyer në këtë mënyrë kufirin psikologjik të 100 lekëve.

Deri në fillim të javës së kaluar dukej se kursi i këmbimit ishte i qendrueshëm, pavarësisht sezonit turistik. Por, ditët e fundit, që përkojnë edhe me pikun e këtij sezoni, duket se vizitorët e huaj janë shtuar në Shqipëri, çka shoqërohet edhe me prurje më të madhe të valutës.

Tashmë pritet një ndërhyrje e Bankës së Shqipërisë për të frenuar deri diku rënien e lirë të euros. Gjatë vitit 2024, me objektiv rritjen e rezervës valutore, Banka Qendrore synon të blejë përmes ankandeve 250-330 milionë euro, por nëse vërehen situata anormale në treg, ky institucion mund të ndërhyjë për të stabilizuar kursin e këmbimit të lekut me valutat kryesore, sidomos monedhën e përbashkët europiane.

Mbiçmimi i lekut ka rezultuar në norma më të ulëta inflacioni, duke mbrojtur deri diku konsumatorët nga gërryerja e fuqisë blerëse. Në të njëjtën kohë, normat më të ulëta të inflacionit kanë mundësuar rritje më të ngadaltë të normës bazë, duke prodhuar ndikim më pak negativ në rritjen ekonomike. Gjithashtu, ndikim pozitiv ka patur në forcimin e stabilitetit financiar, si dhe në reduktimin e borxhit të jashtëm të sektorit privat e publik. Nga ana tjetër, forcimi i lekut prej më shumë se një vit po rëndon pozicionin financiar dhe konkurrues të disa segmenteve të sektorit të eksportit. (Dorian Koça)