Pas 30 vitesh zaptim të godinës, Kopshti 37 në Njësinë 10 është pothuajse gati dhe shumë shpejt do të presë të vegjlit me kushte më të mira. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili inspektoi nga afër punimet e fundit në këtë kopësht, tha se zaptimet që pengojnë të ardhmen e fëmijëve dhe të ardhmen e qytetit, nuk justifikohen.
“Do të bëjmë edhe punët e fundit me pastrimin, instalimet e vogla, mobilimin dhe në fund të gushtit do të hapen regjistrimet për fëmijët e banorëve, që janë në kufi mes Njësisë 10 dhe Njësisë 7. Ky kopësht ka qenë i zaptuar, ndaj kam një thirrje: Zaptimi i kopshteve, shkollave dhe çerdheve nuk justifikohet, është diçka që duhet t’i takojë së kaluarës. Më vjen mirë që kemi çliruar edhe hapësirën e fundit, dhe me dëmtimet që patën pas tërmetit disa ndërtesa totalisht të deformuara, patëm mundësinë të bëjmë një ndërtesë të re. I lutem komunitetit që t’i ruajmë këto ndërtesa. Në momentin që i çlirojmë, këto hapësira do të mbeten të qytetarëve, por sidomos të qytetarëve të vegjël, fëmijëve”, nënvizoi Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se Bashkia e Tiranës ka bërë revolucion me shkollat, kopshtet dhe çerdhet, me kushte europiane, në shërbim të fëmijëve dhe të ardhmes së qytetit. “Hapja e 7 kopshteve dhe çerdheve të reja na çon mbi 100. Vërtet mburremi me 42-43 shkollat e reja, por kemi rikonstruktuar ose ndërtuar mbi 100 kopshte e çerdhe. Kemi bërë një revolucion sepse jemi ndoshta qyteti më i mirëshërbyer, kur vjen puna tek fëmijët. Ata mund të jenë vërtet 20% e popullsisë, por janë 100% e ardhmja e qytetit”, tha Veliaj.
Për ata që bëjnë analiza nga divani, Veliaj komentoi se nuk do të mund të ndalin punët e mira për qytetin. “E di se në këtë Tiranën tonë me debate plot, vëmendjen e marrin ata që bëjnë analiza në televizor. Por, investimi tek fëmijët është garancia më e madhe për të bërë një qytet shumë herë më të mirë se sa ai që gjetëm”, u shpreh Veliaj.
Në fund, kreu i Bashkisë bëri edhe një ftesë për prindërit, kur tha se në fund të gushtit do kenë mundësi të regjistrojnë fëmijët e tyre në kopshtin e ri në Njësinë 10.