Pas kauzës në mrojtje të reperit Rigels Rajku, i njohur si Noizy nesër është thirrur një protestë para Ministrisë së Drejtësisë. Tubimi do të mbahet në orën 19:00 para Ministrisë së Drejtësisë, me kërkesën: Jo ekstradimit të Noizy-t në Kosovë.
Disa prej personazheve publike kanë nisur në rrjete sociale një fushatë në mbrojtje të tij, të quajtur ‘FreeNoizy’. Në kauzën e nisur thuhet se Policia duhet të reagojë edhe për personat që kërcënojnë nëpërmjet rrjeteve sociale.
Ministrja Albulena Haxhiu ka firmosur kërkesat e ekstradimit për shtetasit Rigels Rajku (Noizy), Bahtjar Bajraktari (DJ Crax) dhe Arkimed Lushaj (Stresi), të cilat i janë përcjell Ministrisë së Drejtësisë në Tiranë, si autoritetet përgjegjës për ekstradimet. Ministrja Albulena Haxhiu i ka kërkuar zyrtarisht homologut Ulsi Manja arrestimin e përkohshëm të tre shtetasve të mësipërm, me qëllim ekstradimin e tyre më pas në Kosovë, për t’u përballur me akuzat për rrahjen barbare të boksierit Med Iseni dhe kunatit të tij.
Noizy dhe miku i tij Bahtjar Bajraktari (DJCRAX) akuzohen se disa ditë më parë, janë përfshirë në një sherr masiv, ku dyshohet se dhunuan Medi Isenin. Ky i fundit pretendon se “u pre në besë” nga reperi tjetër shqiptar, Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit si Stresi, i cili dyshohet se e kishte ftuar për ta takuar, por ndërkohë ishte një “kurth”, për ta vendosur në të njëjtin ambient me Noizyn dhe grupin e tij. Vetë Stresi i ka mohuar akuzat. Edhe Noizy në një reagim para arrestimit, u shpreh se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe i është bërë padrejtësi. Prokuroria e Pejës po heton çështjen. Stresi është shpallur në kërkim.