Ilir Mati i cili ka punuar si inxhinier elektronik në Porto Palermo, foli në Dritare TV për nëndetëset që strehoheshin në bazën e Porto Palermos. Në mënyrë të veçantë Mati foli për nëndetësen 105 që Moska e vendosi në bazën e Pashalimanit në Gjirin e Vlorës në fund të viteve 1950, kur Shqipëria dhe BRSS ishin ende aleatë të ngushtë.
“Unë kam punuar 25 vjet në Flotën Luftarake Detare, si oficer dhe inxhinier, në Bazën e Pashalimanit. Unë kam punuar në uzinën për riparimin e nëndetëseve. Ishim katër inxhinierë që merreshim me këtë punë. Shteti shqiptar kujdesej për nëndetëset dhe kishte format e veta se si i zgjidhte punët. Për riparimin e nëndetëseve kishte marrëdhënie me Republikën e Kinës. Unë kam nisur punë në moshën 19-vjecare, sa mbarova gjimnazin.
Shkova marinar, pastaj shkova në universitet, pasi bëra 5 vjet universitetin dola inxhinier, e më çuan prapë si kuadër i Flotës dhe mbarova inxhinierinë pastaj shkova në bazë. Punova 10 vjet atje dhe 10 vjet të tjera jam marr me projektim. Unë kam projektuar një pajisje përgjuese për ta vendosur në Porto Palermo.
Nëndetësja 105 është një trillim artistik i Ismail Kadaresë. Ajo nëndetëse ekziston por i kanë vënë numrin e atij trillimi, sepse vit për vit numrat e nëndetëseve ndryshojnë.
Ne që punonim me nëndetëset dinim një gjë. Që këto nëndetëse nuk do shkonin kurrë në luftë. Ato ishin vetëm një mjet i fuqishëm propagande që në qoftë se ato nëndetëse ishin operacionale në det tregonin se Shqipëria ishte një vend i zhvilluar. Ato ishin operacionale deri në vitin 1992. Nuk kishim për të qëlluar ndonjëherë me ndonjë silur. Këto ne i dinim, që punonim në kushtet e Luftës së Ftohtë”, tregon ai.