Nga Aladin Stafa
Gjatë dekadës së fundit një temë jashtëzakonisht e përfolur dhe që po merr gjithmonë e më shumë vëmendje botërore është ngrohja globale, efektet anësore që ajo sjell dhe masat që duhen marrë për një parandalim të saj.
Një raport i OKB-së i fillim gushtit, me shifrat e paraqitura shpjegon se ndryshimet klimatike kanë ardhur prej aktiviteteve njerëzore duke sjellë një ngrohje graduale të planetit Tokë. Temperaturat janë rritur pak më shumë se 1.1 gradë celsius që nga shekulli paraindustrial, ai i 19-të.
Ekspertët e fushës thonë se në 20 vjet, bota ka të ngjarë të arrijë dhe madje të tejkalojë pragun e ngrohjes prej 1.5 gradë celsius duke cuar në ndryshime të pakthyeshme, si shkrirja e akullnajave, ngritja e nivelit të detit, përmbytje shkatërruese e thatësirë në të gjithë botën.
Që këtej ne kuptojmë se luftrat dhe konfliktet nuk janë i vetmi problem që bota rishtas po ndesh. Lufta me natyrën është një tjetër sfidë me të cilën njerëzimi prêt ende i pavetëdijshëm të përballet. E si në cdo luftë ka gjithmonë një palë që përfiton dhe e kontrollon atë.
Po kush mund të jetë ajo ?
Nëse do të mund ta shohim me vëmendje, ne e dimë se kjo cështje është shumë e diskutuar dhe kryesisht ngrihet si problem në vendet e zhvilluara, sepse vetëm shoqëritë e tyre mund të kenë luksin për ta zhvilluar horizontin e tyre të mendimit dhe kërkesave përtej minimumit jetik të jetesës ose të të pasurit një nivel standart normal të kësaj të fundit. E si pasojë, do të duhen të jenë pikërisht këto vende të fuqishme me zhvillim ekonomik, kulturor dhe social përfituesit më të mëdhenj të kësaj lufte.
Por cfarë konkretisht përfitojne ato?
Dy janë motivet kryesore për të fituar një luftë; motivi ekonomik dhe ai territorial. Logjikisht për shkak se kjo është një luftë jo mes qenieve njerëzore, ajo mbetet të jetë vetëm për arsye ekonomike. Efektet e ngrohjes globale kanë cuar në shkrirjen e masave të mëdha të akullit në Arktik duke sjellë mandej dhe rritjen e nivelit të deteve dhe hapjen e rrugëve të reja në po atë zonë.
Duhet ta theksojmë se ndër të tjera është vlerësuar se Arktiku mban afërsisht 30% të rezervave të gazit natyror të pazbuluar në botë dhe 13 % të rezervave të naftës sërish të pazbuluar në planet. Rusia besohet se mban mbi gjysmën e burimeve totale të Arktikut dhe deri më sot ajo ka qenë më e zellshmja në aktivitetet e saj në rajonin polar të botës, me një sërë projektesh në zhvillim në detin Barents dhe atë Kara.
Nga ana tjetër edhe kompanitë perëndimore janë të etura për t’u bashkuar. ExxonMobil, Statoil dhe Total kanë nisur tashmë partneritete të rëndësishme me gjigantët shtetërorë të naftës dhe gazit Rosneft dhe Gazprom. Por kanë qenë mosmarrëveshjet territoriale ato që deri tani kanë përcaktuar zhvillimin e rajonit.
Cilat janë ato?
Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja nuk pajtohen për kufijtë e detit premtues Beaufort, si dhe për statusin ligjor të Pasazhit Veriperëndimor; Norvegjia dhe Rusia me sa duket i dhanë fund mosmarrëveshjeve 40-vjeçare ndërsa Kanadaja dhe Rusia vazhdojnë të mbrojnë sovranitetin e tyre territorial deri në Polin e Veriut.
Pasurimi i secilit vend me burime të lëndëve të para do të thotë më shumë influencë në tregjet ndërkombëtare, rritje ekonomike për shkak të tregtisë dhe një liri agresioni ndaj këtyre pasurive sepse këto shtete me forcimin e tyre bëhen më të pavarura dhe aspak kokëcarëse ndaj sanksioneve të vendosura, sic është dhe rasti më i fundit me Rusinë.
Ne e dimë se qenia njerëzore është lakmitare, e aftë për të përfituar cdo hap të natyrës pa marrë parasysh efektet e rrezikshme dhe kundërpërgjigjen e saj. Sipas një prognoze parashikohet që në 50 vitet e ardhshme qytete të rëndësishme historike si Venecia apo Londra në Europë apo dhe Manila apo San Francisko në anën tjetër të botës të shfarosen plotësisht duke u bërë të pajetueshme.
I gjithë ky fenomen do të mbarttë dhe efekte të tjera zinxhir; zhvendosje të madhe të popullsisë dhe një kaos ekonomiko-social, një skenar perfekt për një serial trend në Netflix, ku shumica jonë e ndjek si një fabul imagjinare ndërsa vetëm pakica arrin të shohë detaje të një të ardhmeje jo fort të largët.
Dhe paradoksi qëndron aty kur vetë krerët e shteteve janë ata që dalin në prononcime publike duke thënë se po bëjnë c’është e mundur për parandalimin e këtij problemi, duke ngritur madje dhe kauza të ndryshme, ndërsa nga ana tjeter paratë e shpenzuara për intervenimin dhe zbulimin e këtyre zonave që i kalojnë biliona dollarët vetëm kur zhduken papritur në dëm të saj për shkak të korrupsionit.
Në cfarë rendi jetojmë?
Nënshtrimi i shoqërive prej elitave qeverisëse, duket se ja ka arritur qëllimit; atë që kapitalizmi dhe rutina jonë e përditshme ushqehen herë pas here me fije shprese duke ëndërruar se raporti ne-ata e ata-ne shkon paralel me pasurimin ekonomik dhe dituror të një brezi që ikën e nuk vjen më.