Nis ditën e nesërme dhe për 1 javë rresht Pelegrinazhi i madh i Bektashinjve në malin e Tomorrit. Për të shmangur problemet në lidhje me këtë organizim të madh, DVP Berat ka ndërmarrë një plan të detajuar masash. Policia e Beratit, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Berat, Kuçovë dhe Skrapar, janë angazhuar me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin e krimit dhe rritjen e sigurisë rrugore dhe garantimin e qarkullimit të lehtësuar të mjeteve e këmbësorëve, para, gjatë dhe pas zhvillimit të pelegrinazhit në “Malin e Tomorrit”, pelegrinazh i cili do të zhvillohet gjatë periudhës 18-25 gusht 2024. Në zbatim të këtij plani masash, janë planizuar shërbime shtesë në të gjitha akset rrugore që të çojnë në Malin e Tomorrit si dhe në ambientet e jashtme të objektit të kultit (Teqesë) në këtë mal.
Detyrat e planifikuara në këtë plan masash do të përballohen nga shërbimet e DVP Berat, në bashkëpunim me FNSh Fier, Njësinë Operacionale për Sigurinë Rrugore, forcat zjarrfikëse, Spitalin Rajonal Berat, organet e pushtetit vendor dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Të gjitha detajet e planit të masave i ka bërë me dije në një komunikim për mediat, Zv.Drejtori për Sigurinë Publike në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, Luan Mema, i cili ka shpjeguar edhe itinerarin e lëvizjes së mjeteve gjatë ngjitjes dhe zbritjes nga mali si dhe kufizimet e qarkullimit.
ITINERARI
Itinerari për drejtuesit e mjeteve që shkojnë në drejtim të malit të Tomorrit (drejt teqesë) do të jetë: “Hyrja e qytetit të Beratit -Rrethrrotullimi i Kombinatit–Unaza e qytetit–Rrethrrotullimi i Uznovës–Kryqëzimi i Plirëzit–Teqeja e Kulmakut”.
-Itineraret për drejtuesit e mjeteve që kthehen nga mali i Tomorrit ( nga teqeja) do të jenë:
“Teqeja e Kulmakut -Bargullaz-Pronovik–Poliçan–Uznovë-Rruga kryesore “Antipatrea” –Rrethrrotullimi i Kombinatit”.
-Drejtuesit e mjeteve dhe pelegrinët që vijnë nga qyteti i Çorovodës këshillohen të përdorin aksin rrugor Çorovodë -Gjerbës-Teqeja e Kulmakut dhe anasjelltas.
KUFIZIMET:
-Për mjetet: Në akset rrugore “Vlashuk Kuçovë-Berat”, “Ura Kuçit–Dimal-Berat”, “Pobrat-Dimal-Berat”, “Berat-Mali i Tomorrit”, “Berat-Çorovodë” dhe “Çorovodë-Gjerbës-Mali i Tomorrit”, nuk do të lejohen të qarkullojnë mjetet e tonazhit të rëndë, nga ora 06:00 – 24:00, gjatë gjithë ditëve të pelegrinazhit.
-Autobusët, furgonat me mbi 8 persona dhe minibusët nuk do të lejohen të qarkullojnë në aksin rrugor “Plirëz–Teqeja e Kulmakut–Mali i Tomorrit”.
-Për shkak të parametrave të rrugës, në segmentin rrugor “Plirëz-Teqeja e Kulmakut”, qarkullimi i mjeteve do të kryhet në kolonë dhe nuk do të lejohen parakalimet.
-Gjithashtu, janë të ndaluar qëndrimi dhe pushimi i mjeteve në akset rrugore dhe drejtuesit e mjeteve duhet të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë, për vendet ku do të lejohet qëndrimi dhe parkimi i mjeteve.