Nga Denis Dyrnjaja
Ka pak ditë që përfundoi një garë elektorale në Himarë, ku opozita korri me sukses humbjen e radhës e ku përsëri sipas saj, humbja nuk ishte humbje, por vjedhje zgjedhjesh. Në fakt për t’i thënë gjërat troç, ftohtë dhe drejtë, kjo është një opozitë që nuk di më si të fitojë, por ndoshta edhe nuk do të fitojë, ngaqë s’di se si të fitojë. Kandidati i saj në zgjedhjet e Himarës ngjante më shumë si ekskursionist politik që erdhi nga SHBA, sesa një kandidat real e potencial dhe kjo jo për fajin e tij, por për taktikat politike dhe elektorale të drejtuesëve të opozitës, ku mes të tjerash ishte edhe zgjedhja e këtij kandidati që meritën më të madhe e kishte se ishte një përfaqësues i lobit vorio epiriot.
Gjithësesi në fund të fundit atë të shkretin e ftuan apo e thirrën, hajde se na duhesh për humbje dhe ai erdhi e sipas parashikimit edhe humbi, se nuk di çfarë shpjegimi t’i japësh tjetër braktisjes së tij shumë ditë para garës nga vetë ata që e kandiduan.
Por përtej lajmit pa lajm për humbjen e z.Gjikuria dhe faktit se Edi Rama ka kolauduar një makineri perfekte elektorale, Himara tregoi edhe një herë se strukturat e partive opozitare në terren janë të shpërbëra, të çorientuara, pa bashkërendim dhe për më tepër të pamotivuara. Pra me të njëjtat metoda, strategji dhe për më tepër me të njëjtën formë, pa formë dhe përmbajtje, pa përmbajtje, nuk mund të korrësh një rezultat të ndryshëm nga më parë, sa herë ta provosh sidomos kur ke edhe njerëz të konsumuar dhe krejtësisht të pabesueshëm dhe të padëshiruar politikisht në publik.
Ajo çka lë më shumë mbresë është fakti që reagimi politik dhe elektoral i kësaj opozite para dhe pas zgjedhjeve është shumë i habitshëm. Vini re. Shfaqet një vrull entuziazmi para ditës së zgjedhjeve, ku deklarohet fitorja, që pasohet nga një vrull tjetër ankimimi pas pësimit të humbjes, ku reklamohet manipulimi i procesit zgjedhor dhe pastaj gjithçka shndërrohet në asgjë, si të jetë një flakë kashte. Asnjë analizë shkaqesh dhe faktorësh për humbjen e radhës në seri. Askush nuk merr përgjegjësi për rezultatin politik.
Të gjithëve u shkon për shtat t’i mëshojnë refrenit “Rama na manipulon zgjedhjet” dhe kështu të heqin çdo përgjegjësi nga vetja. Alibi e rehatshme. Ajo çka është edhe më paradoksale është fakti se nga sjellja politike nuk po dimë më se ku mbaron pushteti e ku fillon opozita, sepse dhe kjo e fundit sillet sikur të jetë në pushtet. Fjala vjen Ilir Meta drejtuesi i njërës prej dy partive kryesore në opozitë, Partisë së Lirisë nuk lë ditë pa postuar video ahengu e dyzeni, ku natyrisht përveç gurrës popullore nuk mungojnë performancat me hedhje në pellgje e lumenj sa në jug e në veri shoqëruar me sharki e polifoni.
Relax total dmth sikur gjithçka të shkojë fjollë në angazhimet politike, me objektiva të arritur me sukses sipas parashikimeve dhe planifikimeve. Pra tani është kristalizuar edhe deviza “jemi mirë edhe kur jemi keq”. Edhe këtej nga partia e legjendës, sikurse e cilëson me një lloj sarkazme Meta, doktor Berishën nuk është se ka ndonjë ndryshim esencial.
Me gjysmë qepeni ulur te SHQUP-i, PD po shijon pushimet si me stil, ku një pjesë duhet të mbajnë sa për shenjë frymën revolucionare gjallë te rrugica e shpresës, ku lideri legjendar mban fjalimet e përnatshmë nga dritarja e shtëpisë me të njëjtin refren, ndërsa pjesa tjetër duhet të mbajë gjallë ritualin e protestave te dritaret e lalit olimpik, që është i vetmi pushtetar në detyrë që nuk po gëzon dot qetë pushimet, kur mendon se çdo javë poshtë dritareve të bashkisë i shfaqet Adriana Kalaja që i kujton inceneratorin e Tiranës, kompaninë 5D apo hetimin pasuror.
Ndërkohë në kampin blu janë shumë të lumtur dhe tepër të kënaqur dhe të ekzaltuar me rimarrjen e vulës dhe logos së PD, por kjo nuk solli asgjë për statusin e të pandehurit që rëndon tash sa muaj për Berishën që po synon të martirizohet si i burgosur politik. Por ky efekt s’po ndodh realisht. Faktet e provojnë këtë çdo ditë e më shumë
Zakonisht kur lideri i opozitës burgoset padrejtësisht nga regjimi, radhët e njerëzve në mbështetje të tij vijnë e shtohen e jo pakësohen. Psh nëse regjimi i Ramiz Alisë, që praktikisht ishte regjimi i diktaturës komuniste do të merrte këtë masë izoluese në vitin 1991 duke mbyllur në arrest shtëpiak Berishën, atëherë ajo rrugica e ashtëquajtur e shpresës do të ishte shumë shumë e vogël për njerëzit që do mblidheshin në përkrahje të liderit të opozitës aty. Do të mbushej jo vetëm ajo rrugicë, por të gjitha rrugicat e sheshet e Tiranës e madje edhe të Shqipërisë.
Duke e sjellë në kushtet e sotme dhe duke i shkuar versionit që kemi në pushtet një regjim, atëherë problemi që njerëzit nuk dalin për të mbështetur Berishën dhe PD e mbetur rreth tij, nuk qëndron tek ata, por tek ai. Dhe shkaku është qartësisht i kuptueshëm tashmë. Berisha ka humbur kredibilitetin si një politikan me integritet sikurse ishte 30 vite më parë.
Njerëzit e dinë se Berisha i sotëm nuk është më si Berisha i djeshëm. Në mes qëndron një pasuri e tërë. Ndaj opozita është katandisur duke bërë herë pushime e herë tubime, sepse është e qartë dhe e kthjellët, se i duhet të ekzistojë vetëm për përfitime. Mjafton një grup parlamentar, një vulë e një seli e biznesi politik ecën për bukuri. Kaq i duhet Berishës sot e mot për sa te këtë jetë mbi tokë. Ata të tjerët që vijnë vërdallë rreth tij thjeshtë duan një emër në listë sa për të qenë në xhiro si donkishotë!