Deklaratat e Cora Schumacher, ish-bashkëshortes së Ralf Schumacher, yllit të F1 dhe vëllait të Michael Schumacher, kanë shkaktuar bujë në showbizin gjerman.
47-vjeçarja, rreth një muaj pasi ai doli hapur duke zbuluar se ishte homoseksual, foli për revistën gjermane Spiegel duke treguar përvojën e saj nga marrëdhënia me Ralf Schumacher gjatë 14 viteve të martesës, deri në divorcin e tyre në 2015. Ish-çifti kanë një djalë së bashku, David, i cili gjithashtu po ndjek hapat e të atit në F1.
“Kam dëgjuar thashetheme se ai është homoseksual, por më tha të shkoja te një psikolog”, u shpreh ajo, Dduke shtuar se ndihej e përdorur.
49 vjeçari Ralf Schumacher zbuloi në korrik se është në një lidhje me menaxherin e tij francez të biznesit, Etienne. Ai publikoi në rrjetet sociale një foto me partnerin, me të cilin thuhet se kanë qenë së bashku për dy vitet e fundit, dhe tashmë nuk fshihen as nga kamerat.
Ndërsa, pretendohej se ish-gruaja e tij ishte në dijeni, Cora në fakt ka deklaruar se e mori vesh në rrjetet sociale.
Duke folur për Spiegel-in në një intervistë të publikuar më 16 gusht, ajo shtoi gjithashtu se ishte “manipuluar” nga ish-bashkëshorti gjatë marrëdhënies së tyre kur e pyeti nëse thashethemet që kishte dëgjuar se ai ishte homoseksual ishin të vërteta.
“Gjatë karrierës së tij në F1, pati shumë thashetheme. I kërkova të sqaronte nëse ishte e vërtetë ajo që thuhej, por ai gjithmonë e mohonte duke më thënë se po i imagjinoja të gjitha dhe se ndoshta kisha nevojë për ndihmë psikologjike. Por kur bëri njoftimin, ishte si një thikë në zemër. Dalja publikisht ndikon gjithmonë tek ata që ju rrethojnë, përfshirë edhe ish-gruan tuaj me të cilën keni pasur një fëmijë”, tha Cora.
Ndërsa shtoi: “Sot ndjej se më ka përdorur gjatë martesës dhe se i kam humbur vitet e mia më të mira. Pyes veten: A ishte i sinqertë me mua? A më donte ai? I besova verbërisht dhe prandaj fjala e tij ishte ligj për mua.”
Ralf Schumacher mohon deklaratat e saj, duke pretenduar se Cora e dinte që nga viti i kaluar se çfarë po ndodhte. Madje e akuzoi si gënjeshtër dhe publikoi një bisedë private si provë. Në postimin e tij më të fundit, Ralf Schumacher, shkruan: “Dua ta bëj të qartë se Cora na ka uruar në shtator të 2023, sepse ajo mendoi se ne ishim të martuar”.
Pavarësisht nga konflikti i dukshëm mes prindërve të tij, djali i tyre 22-vjeçar duket se e mbështet shumë të atin.
Në një postim në rrjetet e tij sociale, David Schumacher shkroi: “Jam shumë e lumtur që më në fund gjete dikë me të cilin ndihesh vërtet rehat dhe i sigurt, qoftë burrë apo grua”, duke shtuar, “Jam 100% me ty baba dhe të uroj më të mirat dhe urime.”