Numri i infeksioneve me Covid-19 është në rritje në mbarë botën dhe dhe ekziston rreziku i shfaqjes së mutacioneve të reja, paralajmëroi sot Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
“Të dhënat nga sistemi ynë i mbikëqyrjes bazuar në analizat në 84 vende tregojnë se përqindja e testeve pozitive për SARS-CoV-2 u rrit gjatë disa javësh. Në përgjithësi, pozitiviteti i testit është mbi 10 përqind, por kjo ndryshon sipas rajonit. Në Evropë, përqindja e pozitivitetit është mbi 20 për qind”, tha Maria Van Kerkhove nga OBSH për gazetarët në Gjenevë.
Valë të reja infeksioni janë regjistruar në Amerikë, Evropë dhe Paqësorin Perëndimor, sipas OBSH-së.
Analizat e ujërave të zeza sugjerojnë se qarkullimi i SARS-CoV-2 është dy deri në 20 herë më i lartë se sa tregojnë shifrat aktuale.
Shkalla të tilla të larta të qarkullimit të infeksionit në muajt e verës në hemisferën veriore janë atipike për viruset respiratore, të cilat përhapen kryesisht në temperatura të ulëta.
“Në muajt e fundit, pavarësisht nga sezoni, shumë vende kanë përjetuar një rritje të papritur të Covid-19, përfshirë Lojërat Olimpike ku të paktën 40 atletë rezultuan pozitivë”, tha Van Kerkhova.
Ndërsa virusi vazhdon të zhvillohet dhe të përhapet, rritet rreziku i një lloji më serioz të virusit që nuk mund të zbulohej me metodat e praktikuara deri më tani ose që nuk i përgjigjet ndërhyrjes mjekësore.