Ish kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Ibsen Elezi thotë se opozita, me figurat politike që ka, është e paaftë të sjellë risi dhe ndryshim për qytetarët.
Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Elezi u shpreh se Sali Berisha i ka tradhtuar demokratët.
Sipas Elezit, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, vota e elektoratit të djathtë, do shkojë te partitë e tjera, si ndëshkim për Berishën dhe PD.
“Situata politike pothuajse është e konfiguruar në një ndarje të tillë, sot kemi një pozitë, opozitë kryesore, PD dhe një grup partish të reja. Opozita dhe pozita kanë rënë në dakordësi dhe kanë arritur qëllimin për t’i dhënë më pak hapsira partive të reja dhe vetë PD. Në muajt e ardhshëm, përveç këyre lëvizjeve boshe, mashtruese, kjo nuk më duket diçka serioze nga ana e opozitës. Sa e besueshme është ajo me atë që thotë dhe personalitetet politike që ka. Nuk ka mundësi opozita e sotme të japë risi në opinionin publik. Ka persona me imazh të ulur dhe aksione politike të dështuara në vazhdimësi. Lëvizje politike duhet të ketë, sidomos nga partitë e reja. Mbrojtja dhe arma më e fortë e Berishës, është antiberizishmi. Kjo ka të bëjë me modelin që ka krijuar Berisha. Bersha ka tradhtuar bindjen në themel të demokratëve. Berisha nuk e kupton, nuk mund të tallet dhe t’i mbajë demokratët me parulla nga ballkoni. Pjesa më e madhe e demokratëve janë të zhgënjyer. Ky elektorat i djathtë do shkojë te partitë e tyre. Partia e Lirisë nuk besoj se përfiton, është kthyer në një parti të urryer për opinionin publik”, theksoi ai.