Nga Jakin Marena
Edhe opozita pushon gjatë muajve të nxehtë të verës. Shkon dhe në plazh madje, pa ‘dhimbje koke’ për përballimin financiar të resorteve luksoze.
Megjithëse përsa i përket efikasitetit të qëndrimit opozitar, partitë që përbëjnë opozitën shqiptare kanë qënë ‘pushim’ për gati 12 vite me radhë, dhe paralajmërojnë dhe mandate të tjera ‘pushimi’ larg pushtetit.
Jo se nuk janë përpjekur për të bërë diçka kundër qeverisjes socialiste dhe kryeministrit Edi Rama. Janë përpjekur goxha shumë, herë duke djegur mandate, herë duke djegur institucione e bojkotuar zgjedhje, pavarësisht se nuk kanë ditur kurrë se çfarë po bëjnë. Fali o Zot!
Por ia vlen të nënvizojmë se opozita aktuale e drejtuar nga Sali Berisha e Ilir Meta janë të fiksuar në idenë apo strategjinë e tyre se, me të njëjtët njerëz, me të njëjtat mënyra, me të njëjtat slogane, mund të arrijnë rezultate të ndryshme gjatë përballjeve elektorale. Pra mund të fitojnë!
Kjo mënyrë sjelljeje i ka ‘shpërblyer’ deri më tani, që këtu e 12 vite me radhë, në një qëndrim solid në opozitë, madje duke thelluar diferencën nga PS në qeverisje zgjedhje pas zgjedhjesh në mënyrën më të frikshme të mundshme. Diferencën në kahjen negative themi, atë drejt greminës.
E themi këtë, pasi tashmë në të gjitha sondazhet, në të gjitha debatet politike, nuk diskutohet më fitorja e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm nga PS e drejtuar nga Edi Rama, as në zgjedhjet ndoshta të vitit 2029. Tashmë diskutohet vetëm se sa e thellë do të jetë kjo fitore e PS, duke paralajmëruar që kjo mazhorancë mund të marrë dhe shumicën kushtetuese me 94 mandate, përtej asaj të cilësuar me 84 mandate deputeti.
Një parashikim i tillë aspak premtues për opozitën bëhet teksa shihet situata tek partitë opozitare, PD tashmë dhe me vulë nën drejtimin e Sali Berishës, Partia e Lirisë e drejtuar nga Ilir Meta, si dhe partitë e tjera opozitare, të cilat të gjitha bashkë po bëjnë mbi 30 vite kush me shumë e kush më pak, që kanë të njejtët liderë në krye, kanë të njejtat figura që përbëjnë lidershipin e partisë, dhe përpos atyre që i plotfuqishmi ka zbritur në tokë për t’i marrë në amëshim, të tjerët vijojnë të jenë në kupolën drejtuese të secilës parti politike opozitare.
Teksa PD ka në krye të saj Sali Berishën, të larguarin nga pushteti në vitin 2013 me një milionë vota kundër, një ‘non grata” funksional në SHBA e Britani, të vënë nën akuzë nga SPAK për aferën e privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani” ku është nën arrest shtëpiak bashkë me dhëndërin e tij Jamarbër Malltezi për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, me disa akuza të tjera dhe me dosje të hapura si ‘Gërdeci’, ’21 janari’, afera CEZ-DIA dhe hetimi i pasurisë familjare, demokratët kanë humbur besimin se një ditë mund të pretendojnë rikthimin në pushtet.
Dhe këtë e di fort mirë dhe Berisha. Madje Berisha është më i qarti në këtë drejtim, pasi pikërisht për këtë arsye, për të mbrojtur veten e familjen e tij nga drejtësia u rikthye në krye të PD duke e shkatërruar këtë parti nga themelet. Nuk u rikthye në krye të PD për të sjellë opozitën në pushtet, përmes ‘demokracisë’ që pretendon në parti, ‘primareve’ apo shenjtërisë së votës.
Këtu Berisha është konsistent, pasi as ka besuar dhe as beson kurrë dhe kjo është parë dhe kohët e fundit kur pa zgjedhje emëroi Gazment Bardhin dhe të mbështetësit e tij në strukturat e larta të PD, apo caktoi Petro Gjikurinë kandidat për kryetar bashkie në Himarë për zgjedhjet e pjesëshme përballë Vangjel Tavos së PS, pa pyetur as për strukturat vendore të PD Himarë dhe as strukturat qëndrore në Tiranë. Thjeshtë e emëroi dhe kaq. Duke ‘korrur’ një humbje të thellë përballë PS, si gjithnjë. Dhe paralajmëruar humbjen e radhës të vitit të ardhshëm.
Berisha kërkon të mbajë drejtimin e PD si dhe të mbajë opozitën kështu të dyzuar e të përçarë deri në degradim, thjeshtë e vetëm për ta përdorur atë si mburojë politike përballë partnerëve ndërkombëtarë dhe sidomos përballë drejtësisë, e cila teksa hap një pas një dosjet e shumta në ngarkim të tij, po e ngushton gjithnjë e më shumë ‘lakun’ për kreun e PD.
Dhe me këtë kurs anti-Perëndim dhe me këto akuza të forta për korrupsion dhe krime që ka mbi kurriz, Berisha pavarësisht se çfarë thotë në majë të ballkonit të pallatit të tij, është vetë i pari që e di si dreqi se PD dhe opozita kurrë nuk vijnë kurrë në pushtet. Për këtë arsye e ka mbyllur PD në rrugicën e tij, ku në mënyrë të përnatshme, dimër vetë, në shi dhe diell, u flet atyre 30-40 militantëve për ‘rrëzim të Ramës”, por dhe i dekurajon demokratët duke deklaruar se ‘me Edi Ramën kryeministër nuk fitohet kurrë”.
Berisha sulmon dhe ‘oligarkët’, kështu pa emër, se opozitarizmi do dhe ndonjë lek, lekë të cilët nuk i kanë munguar Berishës as tashmë që është mbërthyer vetëm në ballkonin e pallatit të tij. Madje nuk kanë munguar as për plazhin e mbështetësve të Berishës. Pra vë dhe ndonjë ‘gjobë’.
Mbi të gjitha Berisha promovon dhe vajzën e tij Argita si trashëgimtare në krye të PD, duke ua bërë të qartë të gjithë ‘mëtonjësve’ për kreun e partisë për ta pasuar pas tij si kryetarë, se Partia Demokratike është pronë e familjes Berisha, edhe me ‘tapi’. Drejtimi i takon asaj.
S’ka besim as tek Partia e Lirisë që me në krye Ilir Metën, të kontribuojë sadopak për të sjellë opozitën në pushtet. Pavarësisht ‘përpjekjeve’ të Metës për të qënë një personazh TikToku dhe i rrjeteve sociale, teksa ka marrë me radhë të gjitha platformat metalike si dhe pemët për t’u kacavjerrur, teksa ka marrë me radhë liqenet karstike në male nga veriu në jug, liqenet deri në Maqedoninë e Veriut, lumenjë dhe prroskat cep më cep Shqipërisë ku kridhet në ujë, pasi jep mesazhe të çuditshme që një mendje e qetë dhe normale e ka të vështirë t’i përkthejë, ndaj dhe ata që e shoqërojnë gajasen me të, Meta mbetet politikani më pak i preferuar në Shqipëri. Po e kursejmë fjalën ‘më i urryeri në Shqipëri’.
Për më tepër që SPAK e ka nën hetim për pasurinë, si dhe është pyetur dhe për disa biznese ku mendohet se ai është pjesë në mos është pronari kryesor, për disa transferta bankare dhe për afera korruptive, ku sipas gjasave i kanë shkaktuar traumë Metës, duke e i rikthyer rëndshëm paranojat se e kanë shitur në SPAK, çka i kanë sjellë dhe tronditje të forta familjare, deri në divorcin me bashkëshorten Monika Kryemadhi. Për tradhëti politike thotë, me SPAK-un në mes, ku me sa duket paranoja e ka degraduar në dyshime të forta se mos Monika e ka shitur te Altin Dumani. Punë zberthimi celularësh sipas paranojës së tij. E ‘shoqëron’ dhe me akuza përgjimesh dhe gjëra të tjera të këtij lloji, për ta bërë më ‘ekzotik’ lajmin.
Ngjarja më e fundit me bankën e nivelit të dytë, ku një nga zyrtaret e bankës aty vuri në dyshim deri dhe legjitimitetin e tij si President i PL për një transfertë bankare, krijoi sërish tronditje paranojake tek Meta se mos ‘laraskat e ish LSI’ ia kanë futur, dhe nuk figuron në regjistrin themeltar të partisë me emër të ndryshuar, si president i saj.
Janë paranoja të forta që ia kanë prishur fort gjumin Metës duke e katandisur në atë farë feje sa ka marrë malet, s’di çfarë thotë dhe vetëm shfryhet me kacavjerrje, aq sa vërtet ndjejmë dhimbje më shumë për veten si shqiptarë që e kemi pasur ministër, zv.kryeministër, kryeministër, kryetar Parlamenti e deri President të Republikës në këto 30 vite.
Për hir të së vërtetës janë pikërisht këto paranoja, punon fort dhe media në këtë drejtim duke paralajmëruar herë pas here se në ‘shtator avazi’, ato që kanë kapluar Berishën dhe Metën duke ngjallur frikën tek ata se mos do të zëvendësojnë shtëpinë me qelinë, si dhe hetimet në SPAK që po marrin formë ditë pas dite teksa prokurorët punojnë në heshtje për këtë qëllim, por dhe mungesa e qarkullimit të elitave në PD e PL, duke paralajmëruar ditë fort të zymta për opozitën shqiptare, në më pak se sa një vit para zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare të 2025.
E themi këtë sepse tek opozita nuk flitet më për zgjedhje, por thjeshtë e vetëm se si do përballohen akuzat e SPAK dhe të drejtësisë për zullumet e shumta që kanë në kurriz liderët e saj. Por flitet dhe për lista kandidatësh për deputetë, dhe më shumë se sa për të marrë ndonjë votë në terren. Kjo sidomos në PD, ku po luftohet fort për të qënë në listat prioritare të kandidatatëve për deputetë në çdo qark. Ku pas disa ndryshimeve në Kod, u arrit marrëveshja për listat e fiksuara në 1/3 e numrit të kandidatëve. Që vendosen nga kryetari.