Ekzekutimi i bujshëm i kreut të Hamas në Iran ka zhytur agjencitë e specializuara të hetimit në kërkimin e pistave dhe provave, ku mes tyre ka edhe nga ato të sabotimit nga brenda.
Dhe “bombën” e ka plasur sot media britanike “The Telegraph”, sipas të cilës “Mossad”, agjencia e inteligjencës izraelite, punësoi agjentë iranianë të sigurisë, për të vendosur eksplozivë në tre dhoma të veçanta të një ndërtese ku po qëndronte udhëheqësi i Hamasit.
Plani fillestar ishte vrasja e Ismail Haniyeh, kreut politik të grupit terrorist palestinez, në muajin Maj, kur ai mori pjesë në funeralin e Ebrahim Raisi, ish-presidentit të Iranit. Por operacioni nuk u zhvillua për shkak të turmave të mëdha brenda ndërtesës dhe mundësisë së madhe të dështimit të saj, thanë dy zyrtarë iranianë për median britanike.
Në vend të kësaj, dy agjentët vendosën pajisje shpërthyese në tre dhoma të bujtinës së Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në veri të Teheranit, ku mund të qëndronte Haniyeh. Agjentët u panë duke lëvizur fshehurazi ndërsa hynin dhe dilnin në dhoma të shumta brenda pak minutash, sipas zyrtarëve që kanë pamjet e ndërtesës nga kamerat e sigurisë.
Më pas thuhet se operativët ishin larguar nga vendi, por kishin një burim ende në Iran. Në orën 2 të mëngjesit të së mërkurës së kaluar, ata shpërthyen eksplozivin nga jashtë në dhomën ku po qëndronte Haniyeh.
Shpërthimi vrau Haniyeh, i cili ishte në Teheran për inaugurimin e Masoud Pezeshkian, presidentit iranian.
“Ata tani janë të sigurt se Mossad punësoi agjentë nga njësia e mbrojtjes Ansar al-Mahdi”, tha një zyrtar brenda IRGC, për “The Telegraph”, duke iu referuar një njësie të IRGC-së përgjegjëse për sigurinë e zyrtarëve të rangut të lartë.
“Pas hetimeve të mëtejshme, ata zbuluan pajisje shtesë shpërthyese në dy dhoma të tjera”, shtoi ai. Kurse një zyrtar i dytë brenda forcave elitare ushtarake të IRGC, u shpreh: “Ky është një poshtërim për Iranin dhe një shkelje e madhe e sigurisë”.
Zyrtari shtoi se një grup pune ishte krijuar për të dalë me ide për të portretizuar atentatin si një shkelje të sigurisë. “Është ende një pyetje për të gjithë se si ndodhi, nuk mund ta kuptoj. Duhet të ketë diçka më lart në hierarki për të cilën askush nuk e di”, citoi zyrtari. Tani ka një lojë të brendshme fajësimi që merr IRGC-në, me sektorë të ndryshëm që akuzojnë njëri-tjetrin për dështim.
Esmail Qaani, komandanti i forcës Quds të IRGC-së, ka thirrur njerëzit për t’u shkarkuar, arrestuar dhe ndoshta ekzekutuar, tha ai, sepse “shkelja i ka poshtëruar të gjithë”.
Zyrtari dha edhe detaje rreth çështjes: “Udhëheqësi suprem i ka thirrur të gjithë komandantët disa herë gjatë dy ditëve të fundit, ai kërkon përgjigje. Për të, adresimi i shkeljes së sigurisë tani është më i rëndësishëm sesa kërkimi i hakmarrjes”.
IRGC aktualisht po vlerëson opsionet e saj për hakmarrje, me një goditje të drejtpërdrejtë në Tel Aviv që është konsiderata kryesore, e cila do të përfshijë Hezbollahun e Libanit dhe përfaqësuesit e tjerë iranianë, raporton “The Telegraph”.
Vrasja e Haniyeh në kryeqytetin iranian ka intensifikuar edhe frikën rreth shtrirjes dhe ndikimit të Izraelit brenda Iranit. Ali Younisi, ish-ministri i inteligjencës i Iranit, shprehu shqetësimet në një intervistë të vitit 2020, duke thënë: “Të gjithë zyrtarët e Republikës Islamike duhet të shqetësohen për jetën e tyre”.
“Nëse regjimi sionist ende nuk i ka vënë në shënjestër autoritetet politike të Republikës Islamike, kjo është për shkak se nuk ka zgjedhur ta bëjë këtë”, tha ai. “Kjo neglizhencë ndaj Mossad-it e ka lejuar atë të godasë në mënyrë të përsëritur dhe të kërcënojë hapur zyrtarët e Republikës Islamike”, shtoi ai.
Rastësi e ‘qëllimshme’
Vrasja e Haniyeh përkoi gjithashtu me ditën e parë të zotit Pezeshkian në detyrë. Gjatë fushatës së tij zgjedhore, ai ishte distancuar nga politikat e mëparshme provokuese të Republikës Islamike dhe premtoi se do të rivendoste pozicionin e Iranit në skenën ndërkombëtare përmes dialogut.
Një ndihmës i ngushtë i Pezeshkian sugjeroi për “The Telegraph” se dështimi i sigurisë mund të ketë qenë një përpjekje e qëllimshme nga IRGC për të dëmtuar reputacionin e presidentit të ri. Ndihmësi, i cili punoi në fushatën zgjedhore të Pezeshkian, pretendoi se IRGC nuk i miraton pikëpamjet e tij mbi diplomacinë ndërkombëtare dhe aspekte të tjera të politikës së tij reformiste.
“Asnjë tru i padëmtuar nuk mund të pranojë që kjo ka ndodhur rastësisht, veçanërisht në ditën e parë të zotit Pezeshkian në detyrë”, tha ai. “Atij mund t’i duhet të shkojë në luftë me Izraelin në ditët e tij të para në detyrë dhe gjithçka është për shkak të IRGC-së”.
Megjithatë, djali i Pezeshkian njoftoi të premten mbrëma se prioriteti i kombit “nuk është një luftë me Izraelin”.
“Varfëria, korrupsioni, diskriminimi, pabarazia dhe fraksionet dhe debatet e kota politike janë frontet e vërteta në të cilat populli iranian po lufton në vendin tonë”, ka thënë Dr Yousef Pezeshkian në faqen e tij të internetit.
“Reformat sociale dhe përparimi në Iran janë kundërsulmet më të mira që ne mund t’i drejtojmë Izraelit”, shtoi ai.