Operacionet e kërkimit vazhduan të martën për gjashtë personat që mendohet se mbetën brenda jahtit që u fundos pranë brigjeve të Siçilisë, mes të cilëve edhe miliarderi britanik Mike Lynch, i cili po festonte pushimin e një çështje gjyqësore ndaj tij së bashku me avokatin dhe dëshmitarët mbrojtës.
Superjahti është në fund të detit, pranë brigjeve të fshatit Porticello, në një thellësi prej 50 metrash, çka kërkon masa të veçanta për zhytësit. Ekipet speciale thanë se po realizonin zhytje në intervale prej 12 minutash, çka ka ngadalësuar përpjekjet për të kërkuar brenda të jahtit të fundosur.
Jahti ‘Bayesan’, 56 metra i gjatë dhe që lundronte nën flamurin britanik, ishte ankoruar rreth një kilometër larg bregut. Zyrtarët thonë se besojnë se jahti u godit nga një tornado mbi det gjatë stuhisë që filloi para orës katër të mëngjesit. Tornadot në ujë shkaktojnë vorbulla të fuqishme.
Pesëmbëdhjetë nga 22 personat në bordin e jahtit mbijetuan, mes tyre një nënë që tha se e shpëtoi vajzën e saj njëvjeçare duke e mbajtur atë mbi dallgët e detit. Zyrtarët kanë identifikuar një trup të gjetur si kuzhinierin e jahtit.
Zyrtarët kanë thënë se tani për tani gjashtë të pagjeturit do të konsiderohen të zhdukur. Mes tyre është edhe miliarderi britanik, Mike Lynch, i njohur dikur si mbreti britanik i teknologjisë. Në muajin qershor, një gjykatë amerikane e liroi atë nga akuzat federale në një gjyq lidhur me blerjen e kompanisë së tij “Autonomy Corp” nga firma “Hewlett Packard” në shumën prej 11 miliardë dollarësh.
Gjithashtu të pagjetur figurojnë edhe Christopher Morvillo, një nga avokatët e zotit Lynch, Jonathan Bloomer, zyrtar i lartë i bankës “Morgan Stanley International” dhe ish-kreu i komisionit të auditimit të firmës “Autonomy Corp”, i cili dëshmoi në mbrojtje të zotit Lynch.
Karsten Borner, kapiteni i anijes “Sir Robert Baden Powell”, i cili arriti të shpëtojë të mbijetuarit që hypën në një varkë shpëtimi, tha se e kishte vënë re jahtin “Bayesian” ndërsa afrohej stuhia.
“Pas një momenti ajo u zhduk”, tha ai. Kapiteni tha se të mbijetuarit i kishin treguar atij se jahti u fundos brenda dy minutash.
Hannah Lynch, vajza 18-vjeçare e miliarderit, po ashtu figuron e humbur ndërsa nëna e saj, Angela Bacares, ka shpëtuar./ VOA