Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, ka folur në lidhje me plagosjen që ndodhi mesditën e sotme pranë zonës së Komunës së Parisit. Vocaj tha se ka komunikuar me autorin, punonjësin e policisë Erjon Goxhara, i cili është shfaqur në gjendje të rënduar psikologjike pas krimit. Sipas Vocajt, gjendja e personit të plagosur nuk paraqitet kritike, dhe sipas tij plumbat i ka marrë në pjesën e këmbëve, gjë që sipas tij tregon se Goxhara nuk ka dashur që ta vrasë.
Tonin Vocaj: Kam komunikuar drejtpërdrejtë me efektivin, është në gjendje të rënduar psikologjike, po punojmë që të mos bëjë ndonjë krim kundër vetes. Gjendja e të plagosurit, me aq sa kemi folur me mjekët, nuk është në kushtet e rrezikut për jetën. Ka qëlluar në pjesën e poshtme të trupit, gjë që tregon se nuk ka pasur për qëllim për ta vrarë.
Autori i identifikuar si Erjon Goxhara, punonjës policie, e ka plagosur 45-vjeçarin pasi ky i fundit dyshohet se i ka ngacmuar partneren.
Policia thotë se i plagosuri ndodhet në spital, por ende nuk dihet gjendja e tij.
Ndërkohë, në vendin e ngjarjes ka mbërritur drejtori i AMP-së, Florian Sulejmani.