Dy ish-zyrtarë të lartë nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria janë në mesin e personave në garë për postin e zëvendëskryetarit të NATO-s.
Zëvendës shefi aktual i aleancës, Mircea Xhoana, i cili ka mbajtur këtë post që nga viti 2019, pritet të japë dorëheqjen për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të Rumanisë në nëntor, pohuan burime të NATO-s për POLITICO. Kjo e fundit citon një diplomat të lartë të aleancës të rrëfejë se ka konsensus të gjerë mes anëtarëve që krahu i djathtë i kreut të ri të këtij organizmi, Mark Rutte të jetë një europiano-lindor.
Biseda në selinë e NATO-s përqendrohet në dy ish-zyrtarë një nga Maqedonia e Veriut dhe një nga Bullgaria, dy vende ballkanike që dikur ishin nën kontrollin sovjetik deri në fund të Luftës së Ftohtë, thotë Politico. “Ndoshta posti do t’i shkojë një gruaje nga Evropa Lindore,” mësohet të jetë shprehur zëdhënësja e NATO-s Oana Lungescu. Rutte pritet të marrë drejtimin e NATO-s më 2 tetor, në kohën kur aleanca ushtarake kërkon një mision urgjent për të forcuar krahun e saj lindor në mënyrë që të parandalojë çdo agresion të mundshëm rus. Gjermania ka shfaqur shqetësimin se Rusia mund të jetë gati të sulmojë ushtarakisht vendet e NATO-s gjatë viteve te ardhshme.
Një prej emrave më të laskuar deri tani duket se është edhe ai i ish-ministres së mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Radmila Shekerinska. Nëse zgjidhet vërtet, ajo do të jetë zyrtarja më e lartë e NATO-s ndonjëherë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor jashtë Bashkimit Europian.