Kryemimistri Edi Rama sot tregoi se do të operohet në QSUT, ndërkohë Sali Berisha nga ballkoni i banesës tha se e quan këtë një mënyrë të Ramës për të mbuluar skandalet e qeverisë.
“Sot foli gjatë e gjatë se do të operohej për dhjamin në kofshë. Sikur dhjami i tij qenka problemi i shqiptarëve, sikur operacioni i tij për dhjam qenka halli i madh i çdo shqiptari. Unë jam mjek, dhe për të sëmurin kam vetëm urim, por për kriminelin dhe diktatorin kam vetëm damkosje!
Dhe ja ku po ta them Edi Rama, se me asnjë lloj operacioni apo ndërhyrje nuk mund të mbulosh në këtë lojë me ndjenjat atë që iu ke bërë ti shqiptarëve. Edi Rama sot shqiptarët prisnin t’u flisje për boshatisjen e tmerrshme që i bëre vendit.
Por meqënëse ti, zgjodhe dhjamin personal për të mbuluar me propagandë trafikun ndërkombëtar të lëndëve toksike që bën ti dhe klani yt qeveritar. Zgjodhe dhjamin personal për të mbuluar largimin nga Shqipëria të 2/3 të banorëve të saj, boshatisjen”- theksoi Berisha.