Kryeministri Edi Rama ka kujtuar sot 114-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës. Me anë të një postimi në Facebook, Rama thotë se Nënë Tereza është një shenjtore që i përket mbarë njerëzimit.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur më vonë si ‘Nënë Tereza’ feston sot më 26 gusht ditëlindjen. Ajo lindi më 26 gusht të vitit 1910 në Shkup të Maqedonisë.
Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete.
Ato ofrojnë shtëpi për njerëzit që janë duke vdekur nga HIV/AIDS, lebëra dhe tuberkulozi, ushqime, klinika të lëvizshme, programe këshilluese për fëmijët dhe familjet, jetimore, dhe shkolla.
Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”.
Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjt nga Kisha Katolike e Romës.
Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta në Indi.