Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha se një natë më parë në fshatin Hotkovo, afër Novi Pazarit, Sedan Ramoviq-Becan është “likuiduar”. Sipas njoftimit, ai i kishte rezistuar arrestimit.
“Ramoviq refuzoi të dorëzohej dhe qëlloi dy-tre plumba drejt policisë gjatë operacionit të arrestimit”, tha Daçiq, sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme të Serbisë.
Në njoftim u tha se Daçiq deklaroi se Ramoviq nuk ishte arrestuar në shtëpinë e tij në Hotkovo, por në një shtëpi aty pranë që i përkiste kunatit të tij, Aldin Birçoviq nga Novi Pazari, i cili aktualisht është duke vuajtur dënim në një burg në Nish.
Ai shtoi se Ramoviq po ashtu i kishte rezistuar policisë gjatë kontrolleve të kryera më herët.
Ministria e Brendshme serbe tha se Ramoviq ishte në arrati pas sulmit, që Serbia e cilëson terrorist, pranë Ambasadës izraelite në Beograd në qershor dhe madje në një kohë, ai ishte fshehur edhe në Kosovë.
“Ky veprim është në vazhdën e veprimeve të kryera pas aktit terrorist pranë Ambasadës izraelite në Beograd”, tha Daçiq.
Ai shtoi se aksioni për arrestimin e Ramoviqit, që rezultoi me vrasjen e tij, u krye në koordinim me Agjencinë për Siguri dhe Informacion (BIA), me MPB-në serbe dhe me Zyrën e Prokurorit të Lartë në Novi Pazar.
Më herët, autoritetet serbe thanë se Ramoviq ishte qiradhënësi i Millosh Zhujoviq, i cili më 29 qershor plagosi me shigjetë një polic që po ruante ndërtesën e Ambasadës izraelite. Roja ishte kundërpërgjigjur duke e vrarë sulmuesin.
Senad Ramoviq më herët kishte vuajtur një dënim në burgjet serbe prej 13 vjetësh e gjysmë burgim nën akuza për terrorizëm.
Ai ishte arrestuar më 2007, pas një përleshjeje të armatosur me policinë në një fshat afër Novi Pazarit, kur 14 nga bashkëpunëtorët e tij ishin arrestuar po ashtu.
Në korrik të vitit 2009, Këshilli Gjyqëor i departamentit të posaçëm të Gjykatës së Qarkut të Beogradit dënoi 12 të pandehur nga ky grup me më shumë se 60 vjet burgim, në lidhje me vepra terroriste dhe për planifikimin e vrasjes të myftiut të atëhershëm të bashkësisë islame të Serbisë, Muamer Zukorliq.
Në vendimin e gjykatës ishte thënë se të dënuarit kishin planifikuar sulme ndaj një xhamie dhe një stacioni policor në Novi Pazar.
Autoritetet po ashtu kishin thënë se ata kishin fshehur armë, ushqime dhe ilaçe në malin Ninaji, afër Novi Pazarit dhe kishin kryer trajnime edhe me antitanke.
Në vendim ishte thënë se të pandehurit kishin planifikuar të kryenin sulme terroriste në fund të vitit 2007 dhe në fillim të vitit 2008, me qëllim që të nxisnin frikë dhe pasiguri në mesin e qytetarëve.