Karriera e Cristiano Ronaldos duket se nuk ka fund. Megjithatë, pak nga pak, portugezi ka filluar të kuptojë se po i afrohet gjithnjë e më shumë “vijës së finishit”. Ai e ka nisur sezonin e ri furishëm në nivel individual, pas një Europiani zhgnëjyes me Portugalinë.
Disa ditë pasi “shpërtheu” në YouTube, ku hapi kanalin personal, Cristiano Ronaldo ka dhënë një intervistë mbi të ardhmen e tij më të afërt, e cila kalon nga Arabia Saudite dhe do të përfundojë aty: “Nuk e di nëse do të dal në ‘pension’ së shpejti. Besoj do të tërhiqem për dy ose tri vite… Ndoshta do të tërhiqem këtu tek Al-Nassr”.
Deklarata që sqarojnë hapat e tij të ardhshëm, pasi partnerja Georgina tha pak muaj më parë se sapo të mbushte 40 vjeç, karriera e yllit portugez do të prekë fundin. Për ta arritur këtë “stacion” moshe mbeten edhe pak muaj (deri në muajin shkurt). Vetëm pak më vonë, konkretisht në qershor, marrëdhënia e tij kontraktuale me Al-Nassr përfundon.
Megjithatë, Cristiano duket i bindur të vazhdojë. Aq më tepër duke pasur parasysh se ende nuk ka probleme të aspektit fizik. Diçka e paimagjinueshme për një fitues të lindur si ai: “Jam shumë i lumtur në këtë klub dhe ndihem mirë. Dua të vazhdoj në Arabi”.
E sigurt është se portugezi nuk do të shihet në stol, pasi “t’i varë këpucët në gozhdë”: “Në mendjen time për momentin nuk kalon mundësia e bërjes së trajnerit të asnjë skuadre. Nuk e kam menduar kurrë këtë, e shoh veten duke bërë gjëra të tjera jashtë futbollit, por vetëm Zoti e di të ardhmen”.
Ajo që duket më qartë është se fundi i Cristiano Ronaldos në radhët e kombëtares portugeze është më afër se kurrë. Se kur do të vendosë ta shpallë “pensionimin” nga Portugalia, kjo do të jetë krejtësisht e papritur:
“Kur të largohem nga kombëtarja, nuk do të njoftoj askënd paraprakisht. Do të jetë një vendim shumë spontan nga ana ime, por edhe shumë i menduar. Për momentin, ajo që dua është të jem në gjendje ta ndihmoj kombëtaren në angazhimet e saj të ardhshme. Ne kemi Ligën e Kombeve përpara, do të doja shumë të luaja”.