Nga Eduard Zaloshnja/

Zgjedhjet e prillit 2021 krijuan një mundësi unike statistikore për të llogaritur se sa zgjedhës të këtushëm votojnë. Kjo, sepse kufijtë ishin të mbyllur prej pandemisë dhe nuk mund të vinin emigrantë nga jashtë për të votuar.

Ajo situatë ishte veçanërisht domethënëse statistikisht për territorin e Bashkisë Himarë, ku votuan vetëm 5900 zgjedhës të këtushëm.

Dy vjet më pas në maj 2023, kur kufijtë ishin të hapur, në të njëjtin territor, votuan 7800 zgjedhës. Plot 1900 me shume se sa kur kufijtë ishin të mbyllur.

Nga analiza e pjesëmarrjes në këto dy zgjedhje, gërshetuar me rezultatet e një sondazhi që zhvillova fundjavën e shkuar, më rezulton se rreth 1400 votues që u shtuan vjet nga prurjet e emigranteve, erdhën të votojnë për Belerin dhe rreth 500 për Goron. Kjo epërsi e prurjeve nga jashtë bëri që Beleri ta zbuste supremacine 59% që kishte patur PS dy vjet më parë ne territorin e Bashkisë Himarë, kur vetëm zgjedhësit e këtushëm mund të votonin.

Po të dielën sa votues mund te vijnë nga jashtë dhe për kë do vijnë në Bashkinë Himarë?

Është e pritshme që për Gjikurine te vijnë po aq sa erdhën për Belerin. Dhe nëse për Tavon vijnë po aq sa erdhën për Goron, do të kemi një rezultat me fotofinish.

Por, nëse për Tavon vijnë më shumë se 500 votues, siç ka ndodhur në shumë fushata të tij të mëparshme, Tavo e vulos fitoren. Sepse sondazhi qe zhvillova para një jave tregonte se ai kishte një epërsi prej rreth 1000 votash ndër zgjedhësit e këtushëm.