Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, vizitoi Pentagonin të premten për të informuar Sekretarin amerikan të Mbrojtjes lidhur me depërtimin e forcave ukrainase përtej kufirit rus. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carla Babb nga Pentagoni, dy udhëheqësit u përqendruan gjithashtu tek nevojat ushtarake të Ukrainës përpara një takimi tjetër të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën, i caktuar të mbahet javën e ardhshme.
Shefi i ushtrisë ukrainase, Rustem Umerov dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, folën për shtimin e sulmeve ajrore ruse kohët e fundit ndaj Ukrainës si dhe vazhdimin e inkursionit ukrainas në territorin rus të Kurskut.
Zëri i Amerikës e pyeti zëdhënësin e Pentagonit nëse Ukraina ka ende kufizime për përdorimin e armëve amerikane.
“Ukrainasit mund t’i përdorin armët amerikane për t’u mbrojtur nga sulmet ndërkufitare, por sa i përket sulmeve me rreze të gjatë në thellësi të Rusisë, politika jonë nuk ka ndryshuar”, tha zëdhënës i Pentagonit, Gjenerali Pat Ryder.
Zyrtarët kanë ngritur shqetësime se sulmet brenda Rusisë mund ta provokojnë Moskën që të përdorë armët bërthamore.
“Perëndimi beson se Rusia nuk do t’i përdorë kurrë armët bërthamore. Kemi një doktrinë bërthamore e cila thotë se nëse veprimet e dikujt kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial, ne e konsiderojmë të mundshme përdorimin e të gjitha mjeteve që kemi në dispozicioni”, tha Presidenti Vladimir Putin.
“Nëse ata kanë pushtuar një pjesë të Rusisë dhe Moska nuk ka përdorur ende armë bërthamore, atëherë Rusia nuk do ta bëjë këtë. Kjo frikë nga përshkallëzimi po na paralizon dhe duhet të ndalet”, thotë Adam Kinzinger, ish ligjvënës republikan.
Ish ligjvënësi republikan, Adam Kinzinger, ka bërë thirrje për mbështetje shtesë për Ukrainën. Ai i tha Zërit të Amerikës se operacioni i Ukrainës në Kursk ka qenë i suksesshëm.
“Ukraina ka marrë po aq ose më shumë territor rus sesa rusët morën territor ukrainas vitin e kaluar. Rusia ka humbur më shumë ushtarë sesa Shtetet e Bashkuara gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe nuk kanë arritur asgjë”, thotë zoti Kinzinger.
Pentagoni thotë se Rusia ka tërhequr një numër të vogël forcash nga Ukraina për të mbrojtur Kurskun. Por ekspertët thonë se prova e vërtetë do të jetë nëse Ukraina mund ta tjetërsojë operacionin në një avantazh afatgjatë.
“Kjo është një recetë për sukses, nëse arrihet, do të jetë një operacion shumë i mirë. Është shumë herët për të gjykuar për momentin”, thotë koloneli në pension, Alexander Vindman, i cili ka punuar për Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Operacioni nuk i ka ndalur sulmet e Rusisë. Zyrtarët ukrainas thanë të premten se një sulm gjatë natës në një fabrikë në qytetin verior të Ukrainës, Sumy, vrau dy gra dhe plagosi 11 individë./voa