nga Klevis BAKILLARI
–
Prej ditës kur u themelua në Bukuresht (1906) nga rilindasi Nikolla Naço; në Athinë nga Mit’hat Frashëri; në Egjipt nga Jani Vreto; në Amerikë nën përkujdesjen e Nolit dhe deri në Tiranë nga poeti Xhevahir Spahiu, Shoqata “Tomorri” është rritur duke belbëzuar ‘Pavarësi’, duke shkruar ‘shqiptarizëm’ e ushqyer me ‘atdhedashuri’. Lartësia e emrit të Shoqatës ‘Tomorri’ është shpuese e qiellit deri tek hyjnitë për të na rrëfyer fatet e pritshmëritë; një rrufepritëse që djeg tradhëtitë e ndriçon patriotizëm; një diell tomorrian që shkrinë akuj mediokriteti e buron ujëvara humanizmi. Emër i lartësuar që valëzon në shekuj edhe mbi horizontet më të pluhurosura të harresës.
Shoqata ‘Tomorri’ u rrit mes shtypshkronjës shqip dhe shkronjashtypësve okupator; mes librave rilindase të vetëdijes kombëtare e të kulturës dhe ‘fermanëve’ të çensurës; mes zjarrit patriotik dhe zjarrit armik. U rrit parakohe! U përhap pakufij. Jehonë edhe sot, në Ballkan e nëpër botë, veprimtaria brilante e veprimtarëve rilindas ,grekoman quajini apo arnautoman,Nolist a qofshin Zogist,komunist a kapitalist.
Shoqatat, meqënëse janë grupim vullnetar, pa perfitim ekonomik,aq me tepër ndikim politik; janë edhe më të amnistuarat në punën e tyre. Ashtu siç kundërshtitë zhvilluan shkencën, edhe debatet zhvilluan Shoqatën ‘Tomorri’. Pas shumë akuzave ‘etike’, debatesh ‘demokratike’ apo ndasive ‘kuazipolitike’, Shoqata ‘Tomorri’ ia arriti të rilind sërish në pranverën e 2024. Me proçes zgjedhje,me votë, duke marrë në organikën e re edhe një sërë intelektualësh,drejtuesish e artistë të rinj. Një ngjarje që ngjall shpresë dhe provokon entuziazëm për të ardhmen, e afërt! Nuk ka dyshim se roli dhe natyra e saj është promovuese e kulturës,artit,këngës,traditave dhe prodhimtarisë intelektuale të krahinës. Jo me të drejtë, por i rënduar prej harresës ,Skrapari i imponohet edhe Shoqatës. Asesi nuk mund t’i faturohen një shoqate nevojat jetike infrastrukturore, shëndetësore,turistike etj. Ama lipset të kujtohet harresa … politike. Ashtu siç rilindasi i pakursyer Nikolla Naço, iu shkruante e iu lutej kancelarive me te fuqishme Europiane ne fundshekullin XIX; nga Sulltanit Abdul Hamid II, mbretit Karol i parë në Rumani, Carit të Rusisë, Otto von Bismarkut në Gjermani, kryeministrit anglez Robert Cecill; edhe Shoqata ‘Tomorri’ lipset të jehojë më tepër për dhe drejt Skraparit. Kujtimi i harresës nuk i zvogëlon organet vendore me në krye Bashkinë ‘Skrapar”. Që për hir të së vërtetës është e fundit vatër e ndezur, e jetës kulturore e politike të krahinës. Një rol i ri, i thirrur nga nevoja për investim më shumë sesa nevoja për vëmendje, e pret dhe Shoqatën ”Tomorri”. Të ndihmosh një të sëmurë; të mundësosh shkollim për një të pamundur; të riparosh çatinë e një familje me fëmijë; të dhurosh mjete e veshje pune; të lyesh në ngjyra një shkollë apo një fasadë pallati; të ndërtosh një murë apo të hapësh një kanalizim që bllokon një fshat; të lyesh për mos t’u ndryshkur hekurat e një ure; të vendosësh tabela orientuese ne zonat me potencial turistik dhe fshatrave; të hartosh një platformë të ekoturizmit; të ndërmjetësosh në nxitjen e prodhimit dhe shitjen e produkteve të zonës në bizneset skraparase; të ndërtosh një urë mundësie punësimi në bizneset e skraparasve në Shqipëri; të mbështetësh e t’i japësh zë një sipermarrje sado të vogël në zonë; të hapësh duke promovuar shkrime dhe dhurosh gazetën ‘Dielli i Tomorrit’ në Skrapar; të mundësosh periodikisht aktivitetin për një kinema falas; të kryesh një peticion mbi një kauzë jetike; të drejtohesh me ndikim në institucionet më të larta; të realizosh një bibliotekë fizike e online me autorët lokalë e skraparasit nëpër botë; janë çështje që Bashkinë heroike të Skraparit vetëm sa e rëndojnë financiarisht por edhe e lëndojnë në pamundësinë e saj. Shoqata Atdhetare e Kulturore ‘Tomorri’ , me aliazhin e ri intelektual e ekonomik, duhet të ndërmarrë edhe një mision praktik për tē vënë dorë në krahinë; duke i dhënë dorën e ndihmesës edhe Bashkisë Skrapar. Shoqata ‘Tomorri’ duhet të ‘luftojë në çdo front’ për krahinën tonë. Shoqata ‘Tomorri’ lipset të bëhet edhe burrë edhe grua, se Skrapari u harrua!