Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 9 shkurtin e vitit 2025 datën kur do të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë.
Në dekretin e nënshkruar nga Osmani thuhet se caktimi i datës së zgjedhjeve u bë pas konsultimeve me partitë politike dhe me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.
Më 31 korrik, presidentja Osmani ftoi të gjitha partitë parlamentare në konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve. Në këtë takim nuk mori pjesë kreu i partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti.
Pas atij takimi, Osmani ka thënë se partitë kanë pasur propozime të ndryshme për datën e zgjedhjeve, por askush nuk ka insistuar për një të tillë. Disa nga datat e përmendura ishin 26 janari ose 2, 9 dhe 16 shkurti.
Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kishin kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje.
Në fund të majit dështoi një nismë e subjektit më të madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, që në zgjedhjet të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit.
Ky opsion u kundërshtua nga dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat kërkuan që Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti të japë dorëheqje apo të shkarkohet. Por, këto dy kërkesa u kundërshtuan nga Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit./REL