Thatësira e tejzgjatur dhe konsumi i energjisë ka shtuar nevojën për blerje energjie edhe në vjeshtë. Në një procedurë të fundit, Korporata Elektroenergjitike ka blerë 25 mijë e 200 megavator për periudhën 2-8 shtator.
Në total sasia e energjisë e kontraktuar për javën e parë të shtatorit rezulton se arrin vlerën 4 milionë euro. Çmimi mesatar me të cilën është siguruar energjia elektrike është 156.47 euro për megavator.
Sipas të dhënave, rezulton se gjatë muajit korrik për shkak të temperaturave të larta konsumin i energjisë elektrike ka arritur shifrën e 𝟐𝟒.𝟔 milionë dhe po në të njëjtin nivel ka vijuar edhe gjatë muajit gusht duke u konsideruar maksimal për këtë periudhë viti.
Ndërkohë që rezervuari më i madh për energjinë në vend liqeni i Fierzës ka pësuar një ulje të ndjeshme të nivelit dhe gjatë javëve të fundit. Edhe prurjet në Kaskadën e Drinit janë në nivele të ulëta.
Sipas parashikimeve meteorologjike pritet që 10 ditët e para të muajit shtator të jenë pa reshje dhe me temperatura të larta mbi mesataren për këtë periudhë. Mungesa e reshjeve në vend ka nisur që në pranverë, fakt ky që konfirmohet edhe nga dhënat e Instat.
Gjatë kësaj periudhe është prodhuar më pak energji në Kaskadën e Drinit por interesant është fakti që në vend gjatë këtij viti është disafishuar energjia e prodhuar nga impiantet fotovoltaike.
Nga 26.161 megavat të prodhuara në tremujorin e dytë të vitit të kaluar sasia energjisë së prodhuar nga fotovoltaikët këtë vit ishte 124.783 megavat.