Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin mbi situatën e zjarreve në vend përgjatë 24 orëve të fundit.
Sipas ministrisë, në 24 orët e fundit në vend janë raportuar 24 vatra zjarri, nga këto janë shuar 20, ndërsa 3 prej tyre janë nën monitorim, teksa aktualisht vetëm një vatër është aktive.
“Pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave në bashkitë: Tiranë, Shijak, Krujë, Kavajë, Rrogozhinë, Lushnjë, Vlorë, Delvinë, Selenicë, Mallakastër, Finiq, Dropull, Vau Dejës, Shkodër, Pukë”, thuhet në njoftim.
Aktualisht, po punohet në:
Qarkun e Kukësit: në fshatin Surroj, njësia administrative Surroj, bashkia Kukës, vatra e zjarrit është izoluar plotësisht.
Punonjësit e njësisë administrative Surroj po monitorojnë situatën; në fshatin Barrë, njësia administrative Arrën, bashkia Kukës, vatra e zjarrit në zonën pyjore është izoluar plotësisht.
Po mbahet në monitorim nga punonjësit e njësisë administrative.
Qarkun e Lezhës: në fshatin Shëngjin, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë, zjarri vazhdon të jetë aktiv me intensitet të ulët në një sipërfaqe me shkurre. Rrezik për banesa nuk ka.
Sot po punojnë për izolimin e vatrës: 6 forca policore, 4 forca zjarrfikëse, 9 forca nga Shërbimi Pyjor, 6 forca vullnetare, 6 forca bashkiake dhe 1 forcë nga ADZM; në fshatin Mal – Bardhë dhe në kufi me fshatin Skuraj, njësia administrative Milot, bashkia Kurbin, vazhdon të jetë aktive me intensitet të ulët vatra e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me pyll dëllinje, shqopë dhe lis.
Rrezik për banesa nuk ka. Për momentin situata është e qetë. Po mbahet në monitorim nga shërbimi pyjor.