Ivana Stradner, specialiste në fushën e sigurisë dhe informacionit, gjithashtu vëzhguese e zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të hënën, ka thënë se zv.kryeministri serb, Aleksandër Vulin, do të qëndrojë në Rusi gjatë kësaj jave, pikërisht në kohën kur autoritetet serbe kanë paralajmëruar “kaos” në Kosovë.
“Vulini do të jetë në Moskë këtë javë për të takuar (ministrin e jashtëm, Sergei) Lavrov dhe (sekretarin e Këshillit të Sigurisë, Sergei) Shoigu… Qeveria e Serbisë ka paralajmëruar kaos në Kosovë. E ndërkohë… revista zyrtare e MPJ-së ruse vazhdon të flasë për një konflikt në Ballkan”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për shtyp, ka thënë se pret që ura mbi lumin Ibër të “hapet dhunshëm” më 14 ose 15 gusht, teksa ka pretenduar njëkohësisht se për hapjen e urës do të angazhohen edhe “agjencitë e huaja” perëndimore, duke mos ofruar asnjë provë për këtë.
Stradner ka paralajmëruar më herët gjatë javës së kaluar në një intervistë për programin e “Radios Evropa e Lirë” në gjuhën serbe se së shpejti pritet një “raund i dytë” i përshkallëzimit të tensioneve në Kosovë, posaçërisht në pjesën veriore të territorit kosovar që banohet kryesisht me serbë etnikë.