Nga Mero Baze/
Kandidati i opozitës për Bashkinë e Himarës, Petro Gjikuria është goditur rëndë nga partitë politike që e mbështesin, PBDNJ, Partia Demokratike dhe aleatët e tyre, ende pa përfunduar procesi i votimit.
Në një sulm të pazakontë ndaj tij, Vangjel Dule, Sali Berisha, Ilir Meta e më pas gjithë rrethi i mbështetësve të tij shpallën humbjen e tij paraprakisht, duke e banalizuar atë me shpikje që në të vërtetë e fyejnë atë edhe më shumë.
I pari që e goditi publikisht një ditë më parë ishte Vangjel Dule. Ndërkohë që himarjotët ende nuk ishin nisur për në kutinë e votimit, ai kërkoi të vazhdohej beteja për Belerin, pasi ai ishte ende kandidat fitues dhe nuk kishte nevojë të votonin për Gjikurinë.
“Mandati i Belerit nuk është ndërprerë me vendim të formës së prerë dhe është ende për t’u gjykuar ankimi” tha ai, duke injoruar kandidatin në garë, Petro Gjikuria.
Deklarata u bë 24 orë para se të nisë votimi, duke dekurajuar mbështetësit e Gjikurisë dhe duke filluar të gjejë arsye përse duhet injoruar ky proces votimi.
Me fillimin e ditës së zgjedhjeve, zërat dëshpërues kundër tij filluan qysh në mëngjes, kur për shkak të identifikimit elektronik të zgjedhësve, disa dhjetëra qytetarë të Himarës nuk mund të votonin për shkak të skadimit të kartave të identitetit.
Shifra e atyre që janë paraqitur për të votuar dhe nuk janë lejuar është shumë e ulët dhe e papërfillshme për rezultatin, ndërkohë që numri i zgjedhësve është rritur më shumë se kurrë në zgjedhjet në Himarë.
Futja në këtë debat e Sali Berishës dhe Ilir Metës, duke bërë kalë beteje kartat e skeduara të identitetit, e dëshpëruan dhe më tej votuesin e Gjikurisë, duke i bërë praktikisht thirrje të qëndrojë në shtëpi se zgjedhjet kanë mbaruar.
Të gjitha thirrjet e liderëve opozitarë para se të mbarojë votimi, janë të tilla që shpallin humbjen e Gjikurisë dhe përpiqen të gjejnë arsye përse humbi, për faj të qeverisë.
Edhe në rrjetet sociale vazhdon kjo betejë.
Një faqe që mban fotografinë e Gjikurisë e quajtur “Open Himara”, dhe qe jo zyrtarisht i përket organizatës “Omonia”, një krah radikal pro Gjikurisë e Belerit, ka shkruar në mesditë: “Tradhëtarë lindët, tradhtarë jeni e tradhtarë do vdisni. Mjerë vendi për njerëzit si ju. Turp.”
Deklarata është shkruar në një shqipe të pastër, dhe duket se u drejtohet liderëve të opozitës që braktisën Gjikurinë.
Ndërkohë që zgjedhjet ende nuk kanë mbaruar në këtë moment, gjithë opozita e ka bërë fakt të kryer se Gjikuria ka humbur. Ai vet është treguar më i përmbajtur dhe të paktën nuk e ka vetëshpallur humbjen.
Me sa duket të gjithë janë kujtuar befas se nëse ai fitonte do t’u prishte punë më shumë klanit politik që mban peng pakicën greke në Shqipëri, se sa Edi Ramës. Dhe ja shpallën humbjen para KQZ.